Site icon Telegrafi

Mitrovicasi që rrëmbeu tre persona në Vlorë, gjykohet për “qëllime terroriste” (Video)

Pesë muaj pasi tentoi të rrëmbejë tre persona nën thirrjet “Allahu Ekber”, Dijar Xhema do të gjykohet nga Krimet e Rënda për vepra me qëllime terroriste dhe kundërshtim të forcave të policisë.

Prokuroria thotë në mbyllje të hetimeve se 29-vjeçari nga Mitrovica vuan nga çrregullimet mendore dhe ky është shkaku pse ranë dyshimet ndaj tij edhe për 3 veprat e tjera për të cilat ishte nën hetim, raporton Top Channel.

Prokuroria i pushoi hetimet ndaj tij për dyshimet se i riu kishte kryer edhe propagandë me qëllime terroriste, nxitje e urrejtjes dhe prodhim e shitje e narkotikeve.

Aktualisht për Dijar Xhemen është vendosur masa e sigurimit personal shtrim i detyruar në psikiatri, vendim ky për të cilin prokurorët janë dakord që të aplikohet edhe në vijim.

I riu nga Mitrovica u arrestua në muajin gusht në qytetin e Vlorës .

Prokuroria thotë se teksa po udhëtonte me një automjet Dijar Xhema në tre momente të ndryshme ka tentuar të rrëmbejë tre persona duke thirrur “jam i dërguar i Allahut do t’ju vras të gjithëve” dhe “allahu ekber”.

Fillimisht thotë prokuroria me kërcënime dhe dhunë fizike, 29-vjeçari ka tentuar të rrëmbejë në mënyrë rastësore një shtetase, por disa persona e kanë shpëtuar vajzën.

Më tej ai ka vijuar të bëjë të njëjtin veprim në një lokal ndaj një klienti të cilin e ka dhunuar, veprim ky që është përsëritur edhe në episodin e tretë.

Gjatë tentativës për të nxjerrë nga automjeti personin e tretë, Dijar Xhema, thotë prokuroria, u arrestua nga policia lokale ndaj të cilës ai u shfaq agresiv.

Exit mobile version