Site icon Telegrafi

​Mitrovica me tre laboratorë privatë për teste serologjike, interesim i madh i qytetarëve

Në qytetin e Mitrovicës janë licencuar tre laboratorë privat, “Damed”, “Fati” dhe “Hipokrati” (ky i fundit akoma nuk ka filluar punën), të cilat bëjnë vetëm teste serologjike për COVID-19, e që bëhen përmes mostrave të gjakut, dhe në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin.

Numri i qytetarëve të interesuar për kryerjen e këtyre testeve është i madh, por ata nuk pranuan të flasin para kamerës, ndërsa kërkuan nga Ministria e Shëndetësisë të ndërmarr veprime të nevojshme për të realizuar edhe testimet virologjike nëpër rajone.

Teuta Fejza, drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress, se në këtë Qendër bëhen vetëm mostrimet e pacientëve për testin PCR të COVID-19, të cilat dërgohen në IKSHP, ku edhe punohen.

Sipas saj, numri i të interesuarve për këto teste në rajonin e Mitrovicës, që përfshinë edhe komunat e Skenderajt dhe Vushtrrisë, brenda ditës është deri në 40 persona, por ndonjëherë arrin edhe në 100 dhe rezultatet kryhen brenda 24 orëve.

“Në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë, bëhet mostrimi i pacientëve për testin PCR të COVID-19…Pacientët mostrohen tek ne dhe mostrat dërgohen në IKSHP ku edhe punohen…Testet tona janë të sigurta, të vërteta, të sakta dhe punohen nga profesorët dhe doktorët më eminentë të Kosovës…Kemi një mesatare nëse i përfshimë tre komunat, ndonjë ditë kemi 30, 40, ka ditë që kemi pasur deri 100 mostra të cilat i kemi punuar”, ka thënë Fejza.

Duke folur për statistikat, ajo tha se deri tani në komunën e Mitrovicës 41 persona kanë humbur jetën nga ky virus dhe janë gjithsej 103 raste aktive, derisa apeloi tek qytetarët që të respektojnë përdorimin e maskave, distancën dhe mbajtjen e higjienës.

“Në Mitrovicë aktualisht prej rasteve të para, kemi 711 raste pozitive që kanë rezultuar, prej tyre 567 raste janë shëruar , të vdekur kemi 41 raste, dhe për momentin aktiv pozitivë janë 103 raste… Mesazhi im për qytetarët është njëjtë si ai në fillim, ta respektojnë distancën, higjienën personale dhe bartjen e maskave”, theksoi Fejza.

Fejzullah Shehu, specialist i biokimisë klinike, njëherësh pronar i laboratorit ‘Damed’ në Mitrovicë, sqaroi se në këtë laborator kryhen testet serologjike të dy lloj antitrupave, të klasit M dhe klasit G, ndërsa qytetarët mund t’i marrin rezultatet brenda orës.

Sipas tij, 15 deri në 20 persona testohen brenda ditës në këtë laborator dhe një analizë kushton 20 euro.

Ai sqaroi se qytetarët janë më shumë të interesuar për llojin e analizës virologjike, e cila përcakton nëse personi e ka prezent virusin.

“Në laboratorin tonë të licencuar para dy javësh kryhen testet serologjike dhe atë të dy lloj antitrupave, të klasit M, të cilët tregojnë prezencën momentale të covidit që shfaqet në ditën e shtatë, dhe antitrupat e klasit G të cilat shfaqen pas dy javësh…Interesimi i popullatës është i madh…Afërsisht 15 deri 20 pacientë të interesuar kemi në ditë, interesimi më i madh është për llojin e analizave nëse e kanë prezent virusin…Për njërin lloj të antitrupave një test kushton 20 euro, ndërsa për të dyjat çmimi është 40 euro…Zakonisht brenda ditës, veç për një orë mund të kryhet testi”, tha Shehu për KosovaPress.

Në anën tjetër, zyrtarët nga Drejtoria e Shëndetësisë në komunën e Mitrovicës nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje, me arsyetimin se drejtoresha gjendet në pushim dhe ata nuk janë të autorizuar të flasin.

Mirëpo, një burim i KosovaPress-it brenda kësaj Drejtorie, ka thënë se në QKMF të Mitrovicës nuk bëhen këto teste sikurse në disa komuna të vendit, për shkak se komuna nuk ka fond të veçantë për një gjë të tillë.

Ndryshe, në bazë të vendimit të ri të qeverisë, institucionet private shëndetësore në Kosovë nuk mund të kryejnë testime virologjike, apo sipas metodës PCR për koronavirus, që bazohen në analizën e mostrave të strishos në hundë dhe sipas të cilave përcaktohet saktë nëse aktualisht ekziston virusi në trup./KP/

Exit mobile version