Kanë filluar punimet për ndërtimin e Parkut Ujor i cili ndodhet afër liqenit artificial në Mitrovicë.
Investitorë të këtij projekti që kap vlerën prej mbi 7 milionë euro është “ACI” pjesë e së cilës janë “Arjeta Group” dhe Lin Projekt’, të dyja kompani vendore, ndërsa Komuna e Mitrovicës, e ka mbështetur këtë projekt duke ndarë tokë prej dy hektarësh nga pronat e komunës.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se ndërtimi i këtij “Aqua Parku” përgjatë lumit Ibër, ka rëndësi të veçantë për turizmin.
Sipas tij, projekti kap vlerën mbi 7 milionë euro, ndërsa do të përfundojë pas tre vitesh.
“Qëllimi im kryesor ka qenë që të bëj diçka të mirë për qytetarët e Mitrovicës dhe po mendoj se së bashku kemi arritur që të kemi sot këtë projekt këtu, një projekt ndoshta më i miri në Ballkan dhe po shpresojmë se qytetarët e Mitrovicës nuk do të shkojnë më për t’u freskuar nëpër pishina tjera, por do të vinë këtu, si dhe shumë qytetarë tjerë jashtë Mitrovicës për të parë diçka të bukur këtu në Mitrovicë”, ka thënë Bahtiri.
Afrim Durmishi, pronar i “Arjeta Group”, njëra nga kompanitë investuese në këtë projekt, shpreson se do të ia dalin mirë dhe në të mirë të qytetarëve.
“Jemi dy investitorë, ‘Arjeta Group’ dhe ‘Lin Projekt’, dhe dhashtë Zoti të dalë një projekt i bukur e në interes të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës”, theksoi Durmishi. /Kp/Telegrafi/