Telegrafi

Mitrovica siguron 30 milionë euro investime

Drejtuesit e komunës u shprehën të kënaqur me këtë mbështetje që kanë marrë nga strukturat e BE-së, duke pasur parasysh se kjo komunë prej përfundimit të luftës është përballur me probleme të mëdha ekonomike si pasojë e rrethanave politike.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se tashmë fokusi kryesor përveç segmentit të sigurisë është fokusuar në zhvillimin ekonomik. Sipas tij, mbështetja e Komisionit Evropian për ndërtimin e kapaciteteve të reja të ujësjellësit rajonal në Mitrovicë me 13 milionë euro, do të zgjidh përfundimisht furnizimin me ujë të pijes për qytetarët e rajonit.

“Jemi shumë të lumtur me këtë mbështetje dhe shprehim mirënjohjen më të thellë për këtë përkrahje që do të siguroj kushte më të mira për jetë për mitrovicasit dhe qytetarët e komunave të këtij rajoni”, theksoi kryetari Kastrati.

Një tjetër projekt kapital në Mitrovicë në vlerë prej 14.5 milionë euro pritet të nis së realizuari vitin e ardhshëm. Është fjala për Qendrën rekreativo-sportive në Mitrovicë e cila po ashtu do të realizohet me ndihmën e Komisionit Evropian. /Telegrafi/