Vashat e KFF Mitrovica kanë arritur me sukses ta mbrojnë titullin e kampionit që është trofeu i tretë në histori të Superligës.
Sulmuesja nga Gjilani, Kaltrina Biçkaj, ka qenë ‘heroina’ e vashave nga Mitrovica, teksa ka realizuar gol në vazhdimin e parë të ndeshjes për t’i dhënë njëherit edhe fitoren minimale kampioneve në fuqi.
Pa gola për 90 minuta ishte epilogu i ndeshjes përcaktuese për titullin kampion në konkurrencën e vashave ndërmjet Mitrovicës dhe Feronikelit, derisa as tetë minuta shtesë nuk ishin të mjaftueshme për të diktuar fituesin, i cili mund është mësuar pas vazhdimeve.
Kujtojmë që ndeshja ndërmjet Mitrovicës dhe Feronikelit u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” të Mitrovicës dhe ishte e vlefshme për titullin kampion në konkurrencën e femrave.
Ky takim u zhvillua pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv për të përcaktuar titullin kampion në këtë konkurrencë përmes një ndeshje finale.
Kjo pasi që në renditjen tabelare dy skuadrat kishin numër të barabartë pikësh (31) dhe dueli i parë ndërmjet tyre kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0-0. /Telegrafi/