Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka vlerësuar gjendjen në ekonominë e Mitrovicës tepër të rëndë. Paralajmëron “bum” vitin që vjen, ndërsa për mungesën e investitorëve fajin ua hedh procedurave burokratike dhe Qeverisë së Kosovës.
Ai tha se deri në fund të këtij viti do t’i punësojë 1100 mitrovicas, ndërsa i ka quajtur “antishqiptarë” të gjithë ata që ngrenë dorën dhe votojnë kundër zhvillimit ekonomik të Mitrovicës
Aktualisht, situata ekonomike në Mitrovicë sipas Bahtirit është tepër e rëndë dhe shumë e vështirë.
“Kam trashëguar shumë probleme nga pushteti i kaluar. Ju e dini që komuna e Mitrovicës është komunë specifike. Ka shumë probleme edhe etnike, edhe politike, edhe sociale dhe këtu para se të vijë unë ka qenë zonë e krizës, nuk ka pasur asnjë mundësi që asnjë investitor të investojë këtu, sepse nuk ka pasur stabilitet. Unë jam përpjekur ta bëjë një stabilitet total për ta bërë të mundur që Mitrovica të jetë një vend i qëndrueshëm për investime. Jam përpjekur që të krijojë kushte për investime të kapitalit të huaj në Mitrovicë”, ka thënë kryetari Agim Bahtiri. /Zëri/Telegrafi/