Telegrafi

Mitrovica ndan 7 mijë euro për Shkodrën

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se vendimi është marrë me qëllim që sado pak t’u dilet në ndihmë këtyre banorëve, të cilët janë përballur me probleme të mëdha gjatë këtyre ditëve.

“Përkundër mundësive modeste, ne kemi vendosur që qytetarëve të Shkodrës me rrethinë t’u ndihmojmë me një kontingjent ushqimesh, në mënyrë që sado pak të ndihmojmë në përballimin e situatës së krijuar”.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ylber Durmishi, ka thënë se gjendja e krijuar në Shkodër ka qenë shumë e rëndë andaj ndihma ka qenë më se e nevojshme.

Ai tha se në kontingjentin e ndihmave ushqimore përfshihen disa tonë miell, mandej sheqer, vaj, fasule, makarona dhe oriz, të cilat janë transportuar me një mjet transportues të kompanisë “Uniteti”.
 

Durmishi, sqaroi se ky transportues do të mbërrijë të martën në Shkodër, ndërsa një delegacion i komunës i prirë prej tij, do të jetë të njëjtën ditë atje për të parë gjendjen e krijuar dhe për të dorëzuar ndihmat ushqimore.

Përveç komunës, në Mitrovicë janë organizuar për të ndihmuar edhe komuniteti i biznesit, të cilët që disa ditë janë duke mbledhur gjësende të ndryshme, si veshmbathje për qytetarët e përmbytur të Shkodrës.

Afrim Prekazi, nga komuniteti i biznesit, tha se nisma e ndërmarrë nga komuna ka gjetur përkrahje edhe nga bizneset, të cilat janë shprehur të gatshëm për ndihmuar pa hezitim.

Ai tha se së shpejti ndihmat e mbledhura nga komuniteti i biznesit, do të transportohen për në Shkodër.

Në anën tjetër, për ndihmë janë angazhuar edhe drejtuesit e OJQ “Eksodi” ’99 kanë, shoqatë kjo e cila për çdo vjet organizon marshet në drejtim të Shqipërisë për përkujtuar dhe falënderuar për pritjen e bërë në vitin 1999 për qytetarët e Mitrovicës, të cilët ishin dëbuar me dhunë nga regjimi serb.

Mehmet Tahiri, kryetar i kësaj OJQ-je ka apeluar që të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojmë qytetarët e Shkodrës, të cilët kanë pritur në mënyrë vëllazërore mitrovicasit e dëbuar dhunshëm në vitin 1999.