Pritjes së gjatë të sportistëve mitrovicas dhe adhuruesve të sportit në këtë qytet, më në fund i erdhi fundi.
Rinovimi maratonik i palestrës “Minatori” më në fund ka përfunduar të martën, zyrtarisht. Të martën zyrtarët e sportit të Komunës së Mitrovicës kanë pranuar çelësat e arenës që njihet si një prej më të zjarrtave sportive në vend. Inaugurimi i palestrës pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme, në mesjavë apo fundjavë, shkruan Koha Ditore.
Sipas të gjitha gjasave, palestra do të inaugurohet zyrtarisht me ndeshjen e basketbollit ndërmjet Trepçës dhe Sigal Prishtinës. Asnjë përballje nuk e mbush më shumë palestrën “Minatori” se kjo.