Përfaqësues nga Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport së bashku me Zëvendësministren për Kulturë, Rini dhe Sport Leonora Morina-Bunjaku sot u takuan me drejtorët e shkollave të Komunës së Mitrovicës dhe të Komunës së Lipjanit ku shpalosën Programin Nacional për Rininë.
Amir Demiri përfaqësues i KNKRS-së, pos prezantimit të udhëzuesve për garat në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik njoftoi se garat do të fillojnë nga 19 shkurt.
Ndërkaq, zëvendësministrja e MKRS-së, foli për rëndësinë e programit. “Ky program duke u mbështetur mbi parimin e gjithë-përfshirjes dhe vijueshmërisë, do të i’u mundësojë të gjithë nxënësve po ashtu edhe studentëve qe të jenë pjesë e garave në fushat e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik, Diturisë dhe Sportit. Ne për herë të parë po i’u ofrojmë të gjithë të rinjve mundësinë që të hyjnë në gara nga niveli shkollor, komunal, republikan e po ashtu edhe ndërshtetëror. Nxënësi pra do të jetë kryevepër e këtij programi”, tha Morina-Bunjaku.
E përfaqësuesit e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Mitrovicë dhe drejtorët e shkollave e mirëpritën programin duke thënë se programi është hartuar në mënyrë të përpiktë dhe se Mitrovica ka nderin që të jetë pjesë e këtyre garave.
Po ashtu edhe drejtorët e shkollave të Komunës së Lipjanit shprehën gatishmërinë për të filluar me garat në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, Dituri dhe Sport, transmeton Telegrafi.