Site icon Telegrafi

Miti i rremë i pathyeshmërisë së Edi Ramës

Gentian Gaba

Sot Edi Rama është në apogjeun e tij. Vetëm gjashtë vite pas ardhjes në pushtet, kontrollon çdo centimetër të jetës politiko-administrative të vendit. Por, paradoksalisht, pas 30 qershorit ato që dukeshin si maja, dolën që ishin rrëmore. Me refuzimin e votimeve, qytetarët zhbënë mitin e rremë të pathyeshmërisë së Edi Ramës. Treguan se propaganda, sado e shtrenjtë dhe e sofistikuar, nuk e mbush dot hendekun midis premtimeve marramendëse të vitit 2013 dhe shkretëtirës së shpresave të vitit 2019, në të cilin sundon totalisht i vetmuar.

Mungesa e legjitimitetit politik, i zhbërë nga përgjimet e ‘Bild’-it dhe votimet monopartiake të 30 qershorit, e kanë nxjerrë kryeministrin gollomesh. Si elefanti në dyqanin e qelqurinave, ka dhe do të ketë në kurriz të gjitha kostot që pakujdesia e një pushteti total prodhon.

Në përpjekje për të gjetur bashkëfajtor apo partnerë për të legjitimuar lojën e një demokracie formale, shtriu dorën për dialog. Kundërshtarët ia mohuan këtë mundësi. Zgjodhën rrugën më të gjatë dhe më të vështirë, atë të vetëpërjashtimit nga një sistem që nuk është më në gjendje të përballojë sfidat përballë të cilave ndodhet Shqipëria.

Ky qëndrim, që njëkohësisht po shërben si një ‘katarsis’ brenda opozitës, bën që oferta e Ramës të mos duket si një përpjekje për të rifutur opozitën brenda sistemit, por si një tentativë për të nxjerrë kryeministrin nga rëra thithëse në të cilën ka hyrë për shkak të babëzisë së tij. Pasi nga pozicioni në të cilin ndodhet, çdo lëvizje, e zhyt edhe më thellë.

Në këtë peizazh politik, me opozitën në rrugë, ekonominë përtokë dhe perspektivën evropiane të marrë peng nga ‘çunat problematikë’, ‘Reformën në Drejtësi’ duket si e vetmja kamerdare për Ramën. Jo si një përpjekje gjenuine për të çuar përpara një ndryshim thelbësor të një pushteti që duhet të jetë i pavarur dhe funksional, por si një mjet mbi të cilin mbahet për të zgjatur jetën e tij politike.

Duke njohur ndjeshmërinë e të huajve ndaj kësaj çështjeje, sidomos të atyre që kanë harxhuar paratë e taksapaguesve perëndimorë për të reformuar drejtësinë e këtushme, Rama po bën një lojë të dyfishtë. Nga njëra anë, ka ngadalësuar procesin e ngritjes së institucioneve që lindin prej saj. Vonesa, e qëllimshme, i ka detyruar të huajt të përqafojnë zgjidhje ekstraligjore, të mbyllin sy e veshë vetëm për hatër të rezultateve, por jo të cilësisë apo pavarësisë së gjyqësorit. Ndërsa, nga ana tjetër, përballë kundërshtarëve politikë që ia njohin stilin me të cilin po anekson drejtësinë, propagandon e në fakt edhe kërcënon, se ata kanë frikë prej saj.

Në këtë drejtim puna e mazhorancës ngjason me atë të Penelopës së mitologjisë, e cila e thurte pëlhurën gjatë ditës dhe e shqepte gjatë natës. Kjo hile, e luajtur me mjeshtëri, ka bërë që durimi i të huajve ndaj Ramës të kapërcejë imagjinatën e çdokujt që e ka parë shtetin ligjor të shembet përballë premtimit të një reforme epokale. Mirëpo, ky durim i tepruar, ka bërë që zbatimi përjashtues dhe makut i Reformës ta lërë Shqipërinë pa Gjykatë të Lartë dhe pa Gjykatë Kushtetuese, me një Prokurore të Përgjithshme të përkohshme (prej dy vitesh) dhe, me shumë gjasë, me gjyqtarë të përkohshëm (antikushtetues) që do të mbulojnë vakancat në stilin e prokurores të emëruar me 69 vota. Me pak fjalë, një reformë e dënuar të përfundojë në kalendat greke.

Megjithatë, kjo mendjelehtësi që mban firmën ‘buon per l’Albania’ dhe pranon që shqiptarët të jenë dëme kolaterale të një eksperimenti që ka hyrë në një rreth vicioz gabimesh, mori një përgjigje në 30 qershor. Qytetarët nuk refuzuan vetëm votimet, por edhe burokratët e huaj. Refuzuan gjithë ata që kërkojnë prej shqiptarëve diçka që nuk do të pranonin për popujt e tyre. Refuzuan gjithë ata që mendojnë se kush orkestroi kriminalizimin e politikës, duke futur gangsterë në Parlament dhe bashki, mund të reformojë drejtësinë. Pra, në 30 qershor komplekset ranë, bashkë me to edhe pathyeshmëria e kryeministrit.

Exit mobile version