Site icon Telegrafi

Miti për patriotët në pushtet dhe qytetarët e dyshimtë

Miti i shtetit dhe pushtetit të pagabueshëm, patriotik, po duket se ka nisur të formësohet në një politikë arrogante ndaj qytetarit dhe komuniteteve, e cila kur kemi parasysh natyrën kriminale të shtetit serb në të kaluarën dhe krimeve të kryera në Kosovë, për shumicën e qytetarëve mund të duket e pranueshme e për disa edhe si hakmarrje legjitime.

Për këtë qëllim më të lartë, ka ende shumë qytetarë që shprehen të gatshëm të mos dyshojnë asnjëherë në të drejtën e shtetit dhe policisë “kombëtare” të rrahë qytetarët dhe të jetë arrogante, e madje edhe e dhunshme, nëse e kërkon “çështja”! Kjo qytetarin e kthen në shërbyes të shtetit dhe rrjedhimisht edhe paraprakisht të dyshimtë. Si të tillë, shteti dhe policia mund të e trajtojnë si të duan, duke e linçuar publikisht, apo indirekt përmes medias, apo rrjeteve sociale ku tashmë e kanë marrë kontrollin e plotë.

Kjo sjellje ndaj komunitetit, me vetëdije ose pa të po e krijon një paralele, krejtësisht jo adekuate, duke i barazuar kërkesat e dikurshme të shqiptarëve për liri dhe institucionet paralele, me ato të serbëve në veri të cilët nuk pranojnë të njohin shtetin e Kosovës, dhe pas aksionit “heroik” në veri, me gjasë edhe do të shpallin “njëanshëm” asociacionin e tyre, si një republikë të kamufluar me emër të butë, si asociacion komunash. Këtë asociacion, pas shpalljes do të e kontrollojë Qeveria e Serbisë, e cila, siç deklaron presidenti serb, do të mbrojë popullin serb në Kosovë nga “banditë dhe terroristë të veshur në uniforma”.

Ajo që e dallon këtë asociacion nga republikat serbe në Bosnje dhe Kroaci është forma e dizajnuar për të fituar përkrahje ndërkombëtare dhe viktimizimi i strukturave të cilat tash 18 vite po luftojnë jo vetëm kundër strukturave të sigurisë kosovare por edhe atyre ndërkombëtare. Sinkronizimi Beograd- Prishtinë në nivel presidentësh, duket qartë, edhe pse ndërhyrja, në veri, duket të jetë dizajnuar për të nxitur emocione, konflikte, dhe për të futur konfuzion dhe për ta bërë lojën më të besueshme.

Pak ditë pasi presidenti i vendit u kthye nga vizita (jo)zyrtare në SHBA, ku (jo)zyrtarisht thuhet se janë takuar edhe me homologun serb Aleksandar Vuçiq, njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të njohura me akronimin ROSU, hynë në veri të Kosovës, ku pas një zhurme të madhe mediatike, shpërndanë një tubim politik dhe prej andej, pasi përmbysën gjithçka dhe shtrinë për tokë gjithë pjesëmarrësit sikur në një plaçkitje banke, e nxorën duke e tërhequr zvarrë drejtorin e së ashtuquajturës “Zyra për Kosovë dhe Metohi” e qeverisë së Serbisë. Më vonë, duke e tërhequr zvarrë, e shëtitën edhe rrugëve të Prishtinës, duke e treguar si trofe lufte. Në rrjetet sociale shpërthyen edhe pamjet nga brendia e autoblindave të policisë, të cilët lenin të kuptohej se policia kishte shkuar në veri jo vetëm për të arrestuar një person që ka hyrë ilegalisht në Kosovë, por edhe për të u dhënë një mësim serbëve për t’i tmerruar ata.

Duartrokitjet e qytetarëve dhe koordinimi me mediat proqeveritare, e krijoi një eufori, atmosferë fitoreje historike, një histeri të jashtëzakonshme, për të mos lënë asnjë dilemë se ky pushtet është patriotik dhe kjo se ia mbulon të gjitha të palarat të cilat janë përmbledhur në kushtin tjetër për “liberalizim”, pra krimin dhe korrupsioni i klasës politike.

Krejt kjo po ndodhte menjëherë pasi presidenti i Kosovës, duke marrë kompetenca të cilat me gjasë nuk i takojnë, e kishte shpallur se ai po fillonte jetësimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, të stopuar deri tani nga një vendim i Gjykatës Kushtetues të Kosovës dhe nga protestat qytetare të opozitës.

Shikuar nga jashtë, deklaratat e Vuçiqi dhe ato të Hashim Thaçit, duken si të kundërtat e domosdoshme të një skenari të përgatitur në darkat e mistershme, në ndonjë restorant skaj magjistraleve amerikane, ndërkohë që zyrtarët amerikanë dhe evropianë shprehen shumë të shqetësuar me zhvillimet në veri dhe në Kosovë në përgjithësi. Magjistralet amerikane, gjithsesi, për neve janë më të pranueshme se ato ruse, edhe pse ideja se individët në darka të fshehta vulosin fatin e Kosovës nuk e gëzon gati askënd në këtë vend. Prandaj, duhej krijuar euforia!

Por, të kthehemi te aksioni. Policët e Kosovës hynë në një mbledhje qytetarësh të paarmatosur, pa dyshim me përmbajtje kundër shtetit të Kosovës. Pra, me pikëpamje pak a shumë të ngjashme me ato të ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës dhe Listës Serbe të cilët po e kryesonin tubimin.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës, me një operacion të rrufeshëm, arrestuan udhëheqësin serb të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Marko Gjuriq, i cili kishte hyrë në Kosovë pa lejen e autoriteteve, ndërkaq rrugës e rrahën edhe një ministër kosovar të nacionalitetit serb, të dyshuar si kriminel lufte, por të cilin kryeministri aktual nuk kishte pranuar ta shkarkojë as nën presionin e fuqishëm të medias dhe publikut.

Mbi të gjitha, Gjuriq dukej se ishte i përgatitur mirë të luante rolin e viktimës dhe kur njësiti i Policisë së Kosovës, me ose pa vetëdije ia ofroi skenën, drejtori agresiv i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë pranë Qeverisë së Serbisë, e shfrytëzoi mirë këtë mundësi që nëpër rrugë te Prishtinës të luajë këtë rol, ndërkohë që pamjet të cilat pastaj emetoheshin pa ndalë nëpër mediat serbe dhe ndërkombëtare, tregonin për “dhunën e policisë kosovare ndaj serbëve të paarmatosur dhe të pafajshëm”. E njëjta zyrë proruse, dhe të instruktuar nga rusët, kishte nisur drejt Kosovës edhe trenin e famshëm për të provokuar një konflikt dhe për të shpallur asociacionin. Kësaj radhe, regjia ishte më e besueshme dhe më e sinkronizuar.

Mediat e Beogradit, dhe jo vetëm ato, raportojnë edhe për shumë të lënduar, mes të cilëve edhe gazetarë serbë. Këto pohime ishin publike dhe të nivelit më të lartë, ndërkohë që mediat në Kosovë mitizojnë shtetin dhe shpallin për heronj policët duke krijuar eufori, edhe pse ata kishin shkuar në veri të kryejnë një urdhër i cili mbetet paqartë se nga kush ishte dhënë, kur kihet parasysh se kryeministri nuk duket të ketë qenë në rrjedhë.

Fatkeqësisht, askush nga organizatat kosovare për të drejtat e njeriut, as organizmat e ngjashëm institucional, nuk ndërmorën asgjë për të verifikuar këto pohime për keqtrajtim civilësh, gazetarësh, për rikthimin e deliktit verbal, cilat sipas rutinës së Prishtinës zyrtare u shpallën si propagandë e Beogradit.

Kjo fatkeqësisht dëshmon se shoqëria civile në Kosovë është veç patericë e politikës. Organizmat për të drejtat e njeriut, në një shoqëri demokratike, pritet të jenë aktive dhe të paanshëm në çdo situatë ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve shkelen apo rrezikohet të shkelen.

Miti i shtetit dhe policisë që mbron shtetin (e jo qytetarin) pa “mitin” e qytetarit aktiv dhe atë të demokracisë, është një fatkeqësi për qytetarët e Kosovës dhe i shndërron ata veçse në robër të politikave dhe klaneve , e jo sovranë, si u takon të jenë me Kushtetutë. Qytetari është burim i pushtetit dhe jo shërbëtor i shtetit. Shteti dhe pushteti, në demokraci janë në shërbim të qytetarëve. Ose, së paku do të duhej të ishin…!

Exit mobile version