Trajneri Christian Allen ka treguar për revistën britanike Metro se cilat janë mitet më të zakonshme rreth vrapimit që i bëjnë shumë njerëz të heqin dorë nga ky lloj sporti.
Në fakt, janë tre mite që përmenden më shpesh:
Lloji i ndërtimit trupor vendos nëse jeni në gjendje të vraponi
“Shumë njerëz mendojnë se duhet të jenë të hollë që të mund t’i përkushtohen vrapimit, por kjo nuk është e vërtetë”, ka sqaruar Allen.
Ky është një sport për të gjithë. Edhe pse në fillim mund t’ju duket e mundimshme, shumë shpejt do të mësoheni me të dhe nuk do të ndjeni shumë lodhje.
Vrapimi ndikon keq në gjunjë
“Është një mit i madh që vrapimi është i keq për gjunjët. Në fakt, hulumtimet kanë treguar se vrapimi i rregullt ndihmon në forcimin e nyjave dhe stimulon trupin të ndërtojë kërce”, ka shpjeguar ai.
Një numër i madh vrapuesish praktikojnë edhe ushtrime forcuese, të cilat gjithashtu përmirësojnë lëvizshmërinë e gjurit.
Stili i vrapimit që praktikoni nuk mund të ndryshohet
“Ky mit gjithashtu nuk është i vërtetë, sepse me një ndryshim në rutinë është e mundur të arrish gjithçka. Mund të jetë e pazakontë për ty në fillim, sepse vazhdimisht duhet të mendosh për mënyrën se si vrapon, por me kalimin e kohës do të bëhet e zakonshme”, është shprehur tutje.
Sigurisht që ka faktorë që mund të ndikojnë në stilin tonë të vrapimit dhe disa prej tyre janë: rritja ose ulja e kondicionit, shtimi ose humbja e peshës, si dhe shtatzënia. /Telegrafi/