Gruaja e shefit të Interpolit, Meng Hongwei, Grace Meng, ka deklaruar se bashkëshorti i kishte dërguar dje (e diele) një fotografi me emoji të thikës.
Pasi ishte nisur në udhëtim për në Kinë ajo nuk kishte dëgjuar asgjë për të, kurse në deklaratën e parë publike pas këtij misteri, ajo ka thënë para gazetarëve në Lion, se fakti që i ka dërguar emoji me thikë, ai ka tentuar t’i thotë se është në rrezik, transmeton Telegrafi.
Meng gjithashtu ka thënë se vetëm katër minuta para se t’ia dërgonte emojin me thikë, burri i kishte dërguar një mesazh: “prit telefonatën time”. Gruaja e ish-shefit të Interpolit pretendon se prej atëherë nuk ka kontaktuar më me të, dhe nuk di se çfarë i ka ndodhur.
Interpoli që ka selinë në Lion të Francës, edhe zyrtarisht ka kërkuar dje nga Kina informacione për shefin e organizatës ndërkombëtare të policisë, Meng Hongwei, i cili ishte “zhdukur” që kur ishte nisur për një vizitë në Kinë.
Në komunikatën zyrtare të Interpolit thuhet se janë shfrytëzuar kanalet e duhura për të kërkuar detaje për statusin e Meng Hongwei. Kjo organizatë pret që një përgjigje zyrtare t’ia kthejë Kina.
Sipas të përditshmes “South China Morning Post”, Meng është ndalur për shkak të korrupsionit. Ai aktualisht është duke u hetuar nga autoritetet kineze për shkak se shkeljes së ligjit, pasi kishte favorizuar një kompani lidhur me furnizim me pajisje të ndryshme. /Telegrafi/