Stilisti i flokëve të Cristiano Ronaldos është gjetur i vdekur nga një pastruese në një dhomë hoteli në Zvicër.
Ricardo Marques Ferreira është identifikuar si personi i vrarë, pasi trupi i tij i pajetë u gjet në një hotel në një lagje të Cyrihut.
Kush ishte Ricardo Marques Ferreira
Ricardo Marques Ferreira, i njohur me nofkën Caju, ka qenë një stilist flokësh dhe një artist makijazhi, i cili ka punuar me modele dhe aktore portugeze, si edhe me superyllin portugez të futbollit, Cristiano Ronaldo.
Njësoj sikur edhe sulmuesi i Juventusit, ai kishte origjinë nga ishulli i Madeiras.
Si vdiq
Trupi i pajetë i Ferreiras është gjetur rreth orës 2:00 të mëngjesit të të premtes (1 nëntor) në dhomën e një hoteli në lagjen Albisrieden të Cyrihut.
Ai u gjet në krevat me shumë plagë shpuese, ndërsa thika me të cilën u vra nuk është gjetur në vendin e ngjarjes.
Caju kishte jetuar në Cyrih në dy vitet e fundit, ndërsa në hotelin ku është vrarë kishte qëndruar për afro një javë.
Çfarë tha policia
Policia ka raportuar se është arrestuar një mashkull 39 vjeçar në lidhje me rastin. Mediat lokale kanë njoftuar se shumë mysafirë të hotelit i kishin telefonuar recepcionit disa orë para gjetjes së viktimës duke u ankuar për zhurmën që vinte pikërisht nga ajo dhomë.
Skena e vrasjes është përshkruar si e tmerrshme, ndërsa në dhomë ka ardhur erë e madhe e alkoolit.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e Ronaldos apo përfaqësuesve të tij. /Telegrafi/