Pas 97 viteve mbetet ende mister vdekja e plakut të Vlorës, njeriut që i dha Shqipërisë pavarësinë. “News24” ka udhëtuar drejt Italisë, në Peruggia, në të njëjtin hotel ku Ismail Bej Vlora ndërroi jetë më 24 janar të vitit 1919.
Në atë kohë nga mjekët italianë u fol për një vdekje si pasojë e hemorragjisë cerebrale, por dyshime të forta hidhen se ai u helmua.
Rreth një vit pas aktit historik të shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së flamurit në Vlorë, Ismail bej Vlora do të dorëhiqej si kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare të dalë nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912, duke u larguar nga Shqipëria.
Qëllimi i tij, ishte të vijonte misionin për njohjen e Shqipërisë nga fuqitë e mëdha tashmë si një shtet i pavarur.
Shqiptarët do të mësonin lajmin tronditës për vdekjen e Plakut te pavarësisë në Peruggia të Italisë më 24 janar të vitit 1919.
“23 janar 1919- Ismail Qemal, i cili ndodhej në hotel “Brufani” në Peruggia me ftesë të qeverisë italiane së bashku më dy djemtë e tij Etemin dhe Qazimin si dhe atdhetarin Luigj Gurakuqi, do të mbante një konferencë me korrespondentë të disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruggia, ku do të fliste për situatën politike për Shqipërinë.
Një padrejtësi e madhe i ishte bërë Shqipërisë me traktatin e fshehtë të Londrës. Pa mbaruar ende lufta, Anglia, Franca, Rusia dhe Italia – kishin nënshkruar më 26 prill 1915 traktatin e fshehtë, që nëse fitonin luftën do ta copëtonin Shqipërinë duke e kënaqur Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Italinë, sipas zonave në kufi, ndërsa qendra do të kthehej në protektorat të Italisë.
Kjo pabesi e tronditi plakun e Vlorës, i cili mësoi gjithashtu, se në kohën kur Traktati i Londrës mbahej ende i fshehtë, Roma, me oreksin e saj për ta gllabëruar krejt Shqipërinë, kishte shpallur në Gjirokastër më 3 qershor 1917 një proklamatë me të cilën deklaronte se do ta ruante pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, por nën protektoratin e saj. Ismail Bej Vlora iu drejtua sallës së konferencave, atje ku e prisnin gazetarët.
Por studiuesit tregojnë se ai u ndje keq papritur dhe nisi t’i dilte shkumë nga goja.
Vdekjen e tij në moshën 75-vjeçare e njoftoi edhe gazeta italiane “L’Unione Liberale. Njoftimi i saj del në dritë për herë të parë nga arkivat në Itali dhe ndodhet në muzeun e pavarësisë së Vlorës. Aty saktësohet edhe data e vdekjes së Ismail Qemalit më 26 janar, pasi qëndroi tre ditë në koma.
Profesor Bardhosh Gaçe, i cili ka shkruar disa libra për Ismail Qemalin, tregon atë që ai ka hulumtuar nga arkivat, si dhe bisedat me pasardhësit, ndërsa zbulon dhe një fotografi të bërë nga sigurimi në Peruggia në kohën që Ismail Qemali u dërgoi një kërkesë me shkrim kryeministrit të Italisë dhe ministrit të jashtëm, pasi ata ishin nisur më herët në konferencën e paqes në Paris, ndërsa presidenti i amerikan Tomas Willson, tek i cili ai shpresonte pas padrejtësisë që po i bëhej Shqipërisë, po vonohej për të ardhur nga përtej oqeanit.
Ndikim në gjendjen emocionale të atyre ditëve sipas profesor Gaçes kishte edhe vdekja e gruas dhe sëmundja që po përjetonte djali i tij i madh Mahmudi nga torturat që i bëri sulltani në Turqi.
Në atë kohë profesori në La sapienca, Gussepe Kalapano, e lidhi vdekjen e Ismail Qemalit me pabesinë që i bëri Kryeministri i Italisë Orlando.
Ismail Qemali do të ndërronte jetë pa arritur të merrte pjesë në konferencën e paqes.
A pati autopsi në kohë? Profesori italian Stefano Degli’Inocenti thotë se në atë kohë u fol pak për këtë ngjarje. Bëhet fjalë për vitin 1919, kur në Peruggia ishte një qytezë jo shumë e zhvilluar.
“Ismail Qemali ka qenë një politikan i madh, ndoshta jo shumë italianë e dinë këtë, por një mik i Shqipërisë si unë, e njeh historinë e tij. Pasi u bë kryeministër, Ismail Qemalit iu desh të ikte nga Shqipëria dhe duke pasur njohje të mëdha në Europë u largua. Pas disa kohë udhëtimi në Europë ai erdhi me Peruggia në vitin 23 janar 1919 dhe qëndroi në hotel “Brufani”, i cili ekziston edhe sot. U hodhën hipoteza se Ismail Qemali ishte helmuar, pra që nuk ishte një vdekje natyrale, por që u helmua pasi konsumoi çajin. Por ende sot ka dyshime, pavarësisht se nga mjekët u deklarua se vdiq nga hemorragjia cerebrale. nuk di të them nëse pati autopsi. Bëhet fjalë për vitin 1919, kur ishte lufta e parë botërore dhe në fushën e shëndetësisë ishim ende në errësirë. Peruggia nuk ishte një qytetet i madh dhe nuk ishte ende koha, kur për çdo vdekje kryhej autopsia, siç ndodh sot”, tregon profesori italian.
Por ku bazoheshin tezat se Ismail Bej Vlora u helmua? Në atë kohë, këtë tezë e cila qarkullonte në heshtje, e shpalli publikisht Skënder Luarasi në biografinë që botoi për Ismail Qemalin në vitin 1962.
“Ndalesa me urdhër qeveritar në Peruggia, refuzimi i takimit të tij me ministrin e Jashtëm italian, veshin e shurdhër që bëri Kryeministri i Italisë Orlando, i cili nuk iu përgjigj kërkesës së Ismail Qemalit, udhëtimi i tyre për në Paris pa e njoftuar diplomatin shqiptar, më në fund vdekja e tij e papritur, kur nuk ishte ankuar asnjëherë më parë për shqetësime shëndetësore, çuan në lindjen e këtyre dyshimeve, që plaku i Vlorës ishte helmuar për t’i mbyllur gojën”.
“’Më prenë në besë’, kanë qenë fjalët e plakut të Vlorës i prekur thellë në sedrën e vet. Një dozë helmi e dhënë nga një dorë e fshehtë para konferencës së shtypit e sprapsi Ismail Qemalin nga misioni i tij për Shqipërinë”, shkruante Skënder Luarasi.
97 vjet pas vdekjes së Ismail bej Vlorës, ka ende pikëpyetje se çfarë ndodhi atë natë? Dhoma 212 është po e njëjta. Sot në Hotel Brufani ka shumë dëshmi, objekte apo fotografi që tregojnë qëndrimin e personaliteteve të ndryshme që nga Mbretëresha e Anglisë dhe deri te aktorë Hollivudi, por nga qëndrimi dhe vdekja e Ismail Qemalit nuk ka ngelur asnjë shenjë. Edhe një fotografi që ai kishte bërë me pronarin e hotelit, ishte hequr 5 vite më parë.
Në këtë hotel takuam edhe dy shqiptarë, të cilët thonë se zgjedhin të qëndrojnë në hotel “Brufani” në Peruggia, pikërisht pasi aty ka qëndruar edhe Ismail Qemali. Sipas tyre në hotel duhet të ketë një simbolikë të veçantë për plakun e pavarësisë dhe kjo duhet të iniciohet nga shteti ynë, pasi aty ndodhet një pjesë e historisë sonë.
Sot eshtrat e Ismail Qemalit janë në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ai u zhvarros nga Kanina më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore.
Drejtori i muzeut të Vlorës tregon edhe një tjetër të dëshmi të një banoreje të Kaninës, të pa dalë në dritë më parë.
Jo në të gjitha qeverisjet që ka njohur Shqipëria figura e Ismail Qemalit është vlerësuar siç duhet.
Ismail Qemali quhej edhe Ismail Bej Vlora. Emri i tij u ndryshua gjatë kohës së regjimit komunist, mbi botëkuptime komuniste ndaj titullit “Bej”.
Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1846 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruggia të Italisë. Vetëm pas vitit 1990 është mësuar nga historiani turk me orgjinë shqiptare Nexhip Alpan, që ditëlindja e Ismail Qemalit përkonte në një ditë me atë të Enver Hoxhës. Por ajo është mbajtur e fshehtë duke mos u shkruar në asnjë libër historie. Në tekstet e historisë së Shqipërisë dhe tekstet mësimore datëlindja është shkruar më 24 janar 1844, por në fakt sipas këtyre hulumtimeve Ismail bej Vlora lindi më 16 tetor 1846.
Ikja e Ismail Qemalit pasi shpalli pavarësinë ishte gjithashtu në një ikje e detyruar.
Pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i jepte të drejtë largpamësisë së tij ndaj kërkesave legjitime të popullit shqiptar, do shkruante: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit”. /bw/