Telegrafi

Misteri i të pastrehut që ndërroi jetë nga i ftohti në stacionin e trenave në Milano, në bankë kishte 100 mijë euro – pension dhe shtëpi në Kalabri

Një i pastrehë 75-vjeç që ka ndërruar jetë nga i ftohti në stacionin e trenave në Milano, kishte mbi 100 mijë euro në bankë dhe 19 mijë tjera në aksione, si dhe një pension mujor prej 750 eurove nga koha kur kishte punuar në Munih të Gjermanisë.

Siç raporton Corriere Della Sera, në pyetje është Umberto Kuintino Diako, që është zhdukur nga shtëpia kur ishte vetëm 17 vjeç dhe kishte shkuar në Munih për të punuar, transmeton Telegrafi.

“Ai kishte vendosur të zhduket përgjithmonë”, kanë bërë të ditur anëtarët e familjes së tij, por nuk dihet se si ka arritur të fitojë shumat e majme të hollave.

Posedonte shtëpi në Kalabri dhe dy furgonë dhe kishte të paguar sigurimin. E kur u gjet i vdekur në stacionin e trenave Porta Garibaldi në Milano, kishte 1 euro e 20 centë në xhep.

Motra e tij Kiarina ka thënë për Corriere Della Sera, se familja dëshironte ta gjente, por ai nuk donte të ndodhte një gjë e tillë. /Telegrafi/