Jesse Leach nga Grand Rapids, në shtetin amerikan të Michiganit, vendosi tuba të rinj ngrohjeje në shtëpinë e tij, duke mos ditur se çfarë i priste.
Sapo punëtorët shpuan tavanin, gjetën një tufë gjërash të mbetura nga qiramarrësit e mëparshëm, që datojnë më shumë se një shekull!
Një lloj “kapsula e kohës” përbëhej nga copa gazetash, lodra të ndryshkura, fotografi dhe një letër e shkruar me dorë nga fillimi i viteve 1900.
“Gjërat nuk ishin në kuti, por të mbetura në një grumbull. Gjithçka dukej e mahnitshme dhe është pjesë e historisë së kësaj ndërtese”, tha Jesse.
Mes artikujve, ai gjeti faqe gazetash të vitit 1913, një kartëvizitë të një dyqani muzikor lokal që u mbyll në vitin 1907 dhe një letër drejtuar një personi me emrin Ruth, raporton dailymail.
Shënimi i shkruar me dorë, i shkruar nga një grua e quajtur Gertrude, lexonte “Përshëndetje Ruth. Ethel duket kështu – flokë kaçurrela. Ju kujtohet Helen Stewart? Epo, ajo ju thotë ‘Përshëndetje’. Po ashtu edhe Anna. Nëse një nga profesorët e sheh Ethelin, do ta vendosin në muze”.
Në një nga fletët e letrës ishte një vizatim i një vajze me flokë kaçurrela.
Jesse tha për mediat lokale se ai gjeti gurin e varrit të një gruaje nga Michigan të quajtur Helen Stewart, e cila vdiq në vitin 1996.
“Natyrisht, këtu jetonte një fëmijë që donte që gjërat të mbeteshin të ruajtura”, tha i zoti i shtëpisë.
Ai tregon se lodrat e ndryshkura do t’i rregullojë dhe do t’i ekspozojë në shtëpinë e tij, ndërsa sendet e tjera do t’i ofrohen muzeut të qytetit Grand Rapids. /Telegrafi/