Ditë më parë u bë e njohur ajo që mendohej se nuk do të mundë të realizohej. U njoftua nga jashtë e brenda për një arrestim për të cilin sikur ishin të angazhuar disa struktura të sigurisë dhe të inteligjencës të mandatuara në Kosovë që të bënin punën e tyre, por edhe sikur fqinji ynë Serbia kishte një disponim të tillë. Një mister i përdredhur, por me peshë u realizua pikërisht në momente domino në prag të krishtlindjeve nga ky i fundit për të pasuar me një veprim që tani më ndoshta akoma nuk i ngjanë seriozitetit procedural – penal.
E kaluara e veriut të trazuar ka dëshmuar për intuitën kriminale të Z. V. dhe një grup i tërë kriminal i përfshirë në shumë aktivitete të krimit të organizuar, përfshirë veprimet e prostitucionit e deri te pastrimi i parave, ushtrimi i të gjithë llojit të kontrabandave, (femra, armë, drogë, pasaporta, derivate, vajra, cigare, vjedhje makinash, kontroll rrjetesh supermarketesh, kontrabandim barërash, e deri te llojet e mishit, si lopë, etj., që futeshin në veri dhe merrnin destinacionin përfundimtarë. I gjithë ky rrejt kriminal ka funksionuar më shumë se një dekadë dhe për “bosët – mafioz” e të gjitha këtyre aktiviteteve me implikime direkte shtetërore duke krijuar emra grupesh të dalë kohë më parë nga MUP – UDB.
Sigurimi shtetërorë, së këndejmi ndikimi i inteligjencës serbe BIA-s e poashtu ndikimi për pozita strategjike ushtarake (të kontrollit të radarëve), të tentimit të arritjeve të dominimit edhe VBA ka luajtur rol aktiv që nga deklarata publike lidhur me raportin e Dik Martit për trafikim organesh, paraprakisht zënia dhe arrestimi i agjentëve serb që mundoheshin të blinin dëshmitë për trafikim, e deri në gjithë këto ngjarje të fundit që u paraqitën, edhe snajperistët rus, ndonëse në prapavijë, gjithsesi mendohej të kishte edhe agjentë të specializuar rus të SVR-s që përshkuan veriun e kriminalizuar e të trazuar prej vitesh. Po ashtu interesi rus vazhdon akoma më tutje dhe së fundi me dërgimin e televizionit shtetëror rus në përbërje me një staf prej pesë vetash ekip (puro agjent special), të maskuar me dy kamera të terrenit para dy jave ishin në veri, madje edhe në jug, respektivisht në një televizion lokal.
Për ish KGB-në dhe ndikimin e tij në botë, drejtori ekzekutiv i Muzeumit Ndërkombëtar të Spiunazhit në Uashington, i cili ka luajtur me shumë zgjuarsi me KGB-në ndërkohë që ishte operativ i CIA-s për më shumë se tre dekada, ndan këtë vlerësim. “Ata janë aq të rëndësishëm sot, sa edhe në të kaluarën, në mos edhe më shumë”. (Peter Earnest)
Zhvillimet para dhe pas do të tregojnë për përmasat dhe implikimet e shumta, të ndikimit nga jashtë dhe brenda, të realizimit të pastrimit të kriminalitetit shtetërorë, të pastrimit dhe përfitimit të qindra milionave nga Serbia përmes shumë “zvonkove” dhe puro prapavijën e tyre kriminale që vazhdon të ketë përfitim material dhe frymëzim nga katër drejtime kryesore: nga ndikimi i kishës ortodokse serbe; nga përfshirja e kabinetit të Tadiqit; nga fraksionet ultra-nacionaliste serbe, roli dhe ndikimi i tyre; dhe së katërti nga pretendimet mashtruese dhe të pasinqerta të Rusisë shpëtimtare.
Megjithatë edhe kësaj radhe Serbia sikur mirë po e luan serialin e filmit “Krimi dhe kriminelët – milionat tona”, e që në fakt mjeshtërisht po tenton të shpërqendron vëmendjen mediatike nga “konvoji rus” i cili brenda vetës poashtu mund të kishte të gjitha llojet e kontrabandave të sipërthëna, shtuar edhe disa “tenda kolektive”, “stufa me gaz “, “votka”, të gjitha këto për t’i lehtësuar vuajtjet e tyre në barrikada nga të ftohtit e dimrit në veri. Shumë artikuj nga lista e gjatë akoma mbetën mister, ndërsa në drejtim të arrestimeve të fundit u arrit të prodhohet lajm senzacionl për konsum dhe përfitim politik si zakonisht që mundohet të bëjë Serbia. Përfundimisht arrestimet e porositura dhe të tjera që do të pasojnë do të tentohet të bëhet e ditur se ajo ka akoma rol dominues dhe determinues në rajonin e trazuar e posaçërisht kur bëhet fjalë për Kosovën e sidomos për veriun dhe interesat e saj si të tillë Serbia di të bëjë edhe këto lloj spektaklesh të arrestimeve të mistershme që në fakt është krijuar një hapësirë alogjike për analiza të mëtutjeshme.
(Autori ka diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, aktualisht është duke përfunduar studimet pasdiplomike të magjistraturës në UEJL-së, në Shkencat Politike)