Telegrafi

Misteri i anijes me vela të braktisur në Karpen, pronari gjerman ende i zhdukur

Fellmann Frank Rudiger është identiteti i shtetasit gjerman i cili ishte duke udhëtuar me velierën nga Bari i Italisë me drejtim Kroacinë.

Anija me vela është nisur nga vendi fqinj më datë 9 Shtator, ndërsa në ujrat shqiptare ka mbërritur më 10 Shtator.

Shërbimet e Policisë Kufitare gjatë monitorimit të zonës bregdetare konstatuan velierën që po bënte lëvizje të pakontrolluara në fshatin Karpen të Kavajës dhe u ndalën ta kontrollonin.

Gjatë kontrollit të kryer në velierie efektivët e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues. Ndërsa po ashtu kanë gjetur edhe një pasaportë gjermane me gjeneralitetet e 85 vjeçarit, ndërsa fati i këtij të fundit nuk dihet ende.

85-vjeçari ka lindur në Leipzig më 10.03.1939.

Për policinë djali i tij ka pohuar se prej një muaj nuk kishte kontaktuar me babain.

Policia është duke kryer verifikimet nëse 85-vjeçari ka qenë i vetëm në bord apo me persona të tjerë.

Nuk ka të dhëna se çfarë mund të ketë ndodhur me drejtuesin e mjetit lundrues, nëse ai ka rënë në det si pasojë e dallgëve apo motit të keq, apo nëse është vrarë gjatë një ngjarjeje kriminale. /Telegrafi/