Kampanja për vetëdijesimin e gruas për kancerin e gjirit, do të jetë temë e edicionit të spektaklit “Miss Kosova 2016”.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se edhe anëtarët e jurisë do të përbëjnë persona, të cilët në një mënyrë, kanë kontribuar për vetëdijesimin dhe luftën kundër kancerit të gjirit tek femrat, duke përfshirë gratë që kanë ngritur zërin dhe kanë filluar iniciativa për mbrojtje e grave në përgjithësi.
“Një kauzë e tillë do ta bënte ngjarjen edhe më të veçantë, duke i dhënë kështu një shtytje këtij problemi dhe gjithmonë duke promovuar hapësirë më të madhe diskutimi në opinionin publik”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se pjesë e këtij edicioni, duke përkrahur do të jenë edhe 5 vajza përfaqësuese të bukurisë nga 5 vende të ndryshme të botës, të cilat së bashku me 200 vajza të tjera nga mbarë bota kanë hapur një fondacion në përkrahje të femrave të prekura nga kanceri i gjirit.
“Përveç që do të jenë pjesë e jurisë, këto vajza do të ndajnë me ne eksperiencën e tyre shumëvjeçare në përkrahje të grave dhe vajzave të prekura nga kanceri i gjirit”, thuhet në njoftim.
Aplikimi për këtë konkurs do të jetë i hapur deri më 15 gusht, ndërsa nata finale do të mbahet me datën 7 shtator.