Misioni i SHBA-ve në OSBE me seli në Vienë, përmes një letre kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Poposki, i cili sot në seancën e Këshillit të Përhershëm në OSBE tha se qytetarët e Maqedonisë duan të respektohet vullneti i tyre dhe asgjë më tepër. Poposki gjithashtu gjatë fjalimit të tij u është përgjigjur pyetjeve të shteteve anëtare në BE lidhur me krizën në vendin tonë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“SHBA-të mirëpresin ministrin e jashtëm Nikolla Poposki në Këshillin e Përhershëm dhe falënderojnë atë për deklaratat e tij. Ne vazhdojmë të jemi të brengosur për situatën politike në Maqedoni dhe vazhdojmë nga afër të monitorojmë situatën. SHBA-të mbesin të dëshpëruara që presidenti Ivanov refuzoi të jep mundësinë të formojnë qeverinë e re partitë që kanë shumicë. Ne vazhdojmë të besojmë se ky vendim nuk ishte në përputhje me angazhimet e OSBE-së, parimet bazë të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Si partnerë strategjikë të Maqedonisë dhe me respektë të plotë për sovranitetin dhe unitaritetin, SHBA-të i bëjnë thirrje presidentit Ivanov të rishikojë vendimin e tij”, thuhet mes tjerash në letrën e SHBA-ve.
Në këtë letër nga SHBA gjithashtu bëjnë thirrje që liderët politkë dhe partitë politike të përmbahen nga sulmet ndaj shoqërisë civile dhe OJQ-ve. Reagimin e plotë të SHBA-ve në gjuhën angleze mund ta lexoni këtu./Telegrafi/