Një mision thuajse i pamundur, në kufijtë e një hipoteze tejet të largët, mund të konsiderohet ai i Sebastian Vettelit për të kapur Lewis Hamiltonin në kreun e klasifikimit për pilotë në Formulën 1, nëse analizon përballjet mes Mercedesit dhe Ferrarit gjatë viteve të fundit.
Një vit më parë, Vettel dilte nga Çmimi i Madh i Monzas me tri pikë diferencë nga britaniku kryesues në luftën për titullin kampion. Asokohe gjermani arriti vendin e tretë, por me thuajse 30 sekonda pas Hamiltonit, gjë që irritoi së tepërmi (të ndjerin) Sergio Marchionne, i cili bëri thirrje për një reagim të menjëhershëm të skuderisë dhe pilotëve.
Paradoksi qëndron në faktin se një vit më parë Ferrari ishte ndjeshëm më inferior sesa Mercedesi në aspektin teknik, një diferencë që në Botërorin e vitit 2018 është ngushtuar. Fatkeqësisht, Vettel gjendet sot 30 pikë larg Hamiltonit, një klasifikim që nënvizon shpërndarjen e pakuptimtë të kapitaleve në dispozicion.
Renditja aktuale:
Lewis Hamilton 256 pikë (+18)
Sebastian Vettel 226 (-9)
Kimi Raikkonen 164 (+26)
Valteri Bottas 159 (-38)
Renditja e vitit 2017, pas Monzas:
Lewis Hamilton 238 pikë
Sebastian Vettel 235
Kimi Raikkonen 138
Valteri Bottas 197
Por, treguesi i precedentit negativ vjen pikërisht nga shtatë garat e fundit të sezonit të kaluar, kur në vend që të reagonte, Ferrari përfundoi mes gabimeve të pilotëve të tij dhe strategjive të diskutueshme të garave.
Një fund sezoni që i lejoi sërish Hamiltonit të jetonte me prepotencë dhe të fitonte titullin e katërt me një lehtësi të paimagjinueshme. Vettel thelloi me 43 pikë të tjera diferencën me pilotin britanik në vetëm shtat gara.
Vjet, në shtatë garat e fundit:
Lewis Hamilton 125 pikë
Valteri Bottas 108
Sebastian Vettel 82 (-43)
Kimi Raikkonen 67
Ndaj, për Vettelin dhe Ferrarin, detyra drejt objektivit është me pengesa të mëdha për t’u kapërcyer.
Pilotit gjerman do t’i duhet të fitojë të paktën pesë apo gjashtë gara, me shpresën që të tjerët t’i bëjnë konkurrencë Hamiltonit.
Një fatkeqësi mund të konsiderohet fakti që në këtë fundsezoni, gjermani vjen në një situatë edhe më të rëndë, pavarësisht se ka një bolid shumë më të mirë sesa në vitin 2017. /TCH/