Site icon Telegrafi

Misioni i OSBE-së në Shkup publikon raportin e tretë për aktivitetet e PSP-së

Misioni i OSBE-së në Shkup publikoi raportin e tretë dhe të fundit për aktivitetet dhe rastet e ish-Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Raporti përfshin rekomandime për aktorët gjyqësorë, pushtetin legjislativ ekzekutiv, me qëllim adresimin e rasteve të identifikuara në raport me qëllim të përmirësimit të efikasitetit dhe drejtësisë së procedurave gjyqësore.

Raporti përqendrohet në gjetjet e monitorimit të gjykimeve nga perspektiva e standardeve ndërkombëtare të gjykimit të drejtë. Raporti mbulon periudhën midis 1 dhjetorit 2018 dhe 15 janarit 2020. Dy raporte tjera të përkohshme u botuan në muajin gusht 2018 dhe qershor 2019.

“Prokuroria Speciale Publike u formua në muajin shtator të vitit 2015 për të hedhur dritë në skandalin e përgjimit që çoi vendin në një krizë të thellë politike. Edhe pse çështjet tanimë nuk ndiqen penalisht nga PSP, Misioni vazhdon me monitorimin e tyre sepse besojmë se prania e vëzhguesve në sallën e gjyqit rrit transparencën e procedurave dhe ndihmon në ndërtimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë penale,” tha Clemens Koja, Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, gjatë prezantimit në internet.

Kryetari i Gjykatës Penale në Shkup, gjykatësi Ivan Xholev shtoi:

“Raporti, i përgatitur nga Misioni i OSBE-së, është një hartë udhërrëfyese jashtëzakonisht e rëndësishme që tregon se ku duhet të përpiqemi si gjyqësor. Ne vlerësojmë shumë këtë raport analitik, dhe rekomandimet e drejtuara Prokurorisë, avokatëve mbrojtës dhe Gjykatës, por edhe legjislaturës dhe autoriteteve ekzekutive, të cilat kanë një rëndësi thelbësore. Raporti vlerëson gjyqtarët e Gjykatës Penale për trajtimin e duhur të çështjeve të iniciuara nga PSP, por në të njëjtën kohë, ne gjithashtu pranojmë kritikat, të cilat do të na ndihmojnë të përmirësojmë performancën në përputhje me dispozitat ligjore dhe kompetencat e Gjykatës.”

Exit mobile version