Telegrafi

Misioni i Guvernatorit

Numri një i BQK-së, Gani Gërguri, në një intervistë për Express, ka thënë se nuk i takon që t’i komentojë raportet e tij me ndërkombëtarët. Krejt çka ka thënë ai në lidhje me letrën e shefit të ICO-së, ku rekomandohet emri i tij për guvernator, është se është zgjedhur nga një proces shumë i rregullt. “Mua nuk më takon t’i komentoj këto pyetje pasi që edhe unë isha një nga 27 kandidatët, i cili ka kaluar nëpër një proces të qeverisur me transparencë dhe integritet nga ana e Panelit seleksionues”, është përgjigjur guvernatori.

Gërguri, thotë sektori financuar është i qëndrueshëm si dhe ka arritur një nivel të zhvillimit që e bën të krahasueshëm me sektorët financiarë të vendeve me histori edhe më të gjatë të veprimit.

Gjithashtu, tha se për tregun e sigurimeve mund të thuhet se është i liberalizuar dhe kompanitë mund të ofrojnë produkte me tarifa të ndryshme.

Ndërkaq, pranon se me gjithë këtë performancë të mirë të bankave, kamatat për kredi mund të jenë të larta. “Për sa u përket normave të kamatës, ato mund të konsiderohen të larta, por si të tilla ato reflektojnë kushtet e tregut në të cilat operon sistemi bankar në Kosovë dhe në regjion”, thotë ai.

Për këtë, fokusi i BQK-së, thotë Gërguri, është duke u rritur në drejtim të përkrahjes së aktiviteteve që përmirësojnë edhe më tej ambientin biznesor. Kjo pastaj do të duhej të reflektojë edhe në zvogëlimin e normës së kamatës në kredi. “Në bashkëpunim me akterë ndërkombëtarë dhe vendorë, BQK-ja është e përkushtuar të konkretizojë projektet që kanë të bëjnë me zvogëlimin e rrezikut kreditor”, tha Gërguri.

Me rregullore të BQK-së, bankat janë të obliguara që t’i bëjnë publike çmimet e tarifave dhe të gjitha shërbimeve.

E sa i përket lëvizjes së lirë të kosovarëve, guvernatori thotë se në muajt në vijim pritet të aplikojnë në Asamblenë e Përgjithshme të Kartonit të Gjelbër mbi pranimin e Kosovë në këtë sistem. Mundësi tjetër mbetet gjetja e një zgjidhjeje kalimtare, e cila do të eliminonte nevojën për blerjen e policave kufitare, përkatësisht do të hapte rrugën që makinat me targa të Kosovës të lëvizin lirshëm edhe në vendet e tjera dhe po ashtu të njihet edhe Kartoni i Gjelbër i të gjithë qytetareve të Kosovës dhe shtetasve tjerë që vizitojnë Kosovën. /Express/Telegrafi/