Telegrafi

Mishtoret hedhin eshtrat e kafshëve në lagje, banorët e “Vneshtave” në Prishtinë thonë se janë në hall me qentë endacakë

Qentë endacakë në lagjet e kryeqytetit janë bërë problem tash e një kohë të gjatë, për të cilën nuk po gjendet zgjidhje.  

Disa raste të sulmeve nga qentë endacakë janë raportuar kohëve të fundit në media, mirëpo probleme të shumta janë duke u shfaqur edhe në rrugën “Ardhmëria” në lagjen “Vneshta”, kjo pasi disa persona nga mishtoret në mënyrë të pandërgjegjshme hedhin kockat e kafshëve që i therin, duke shërbyer ushqim për qentë endacakë.

E kjo për banorët paraqet shqetësim të shtuar, pasi qentë pos që shkaktojnë zhurmë të madhe gjatë natës, po krijojnë dhe panik te këta banorë.

Banorët që kanë shkruar në redaksi të Telegrafit kanë shprehur shqetësimin e tyre, duke kërkuar zgjidhje të këtij problemi nga organet kompetente në Prishtinë.

Sipas tyre, për shkak të të lehurave të qenve e kanë të pamundur të flenë natën. Ata kanë shprehur edhe rrezikun nga qentë për shkak se shumë fëmijë luajnë në atë pjesë. /Telegrafi/