Site icon Telegrafi

Mishmashet e dhembshme me UÇK-në!

Në fillet e para të shfaqjes së ushtrive çlirimtare, shumë politikanë, poetë e shkencëtarë shqiptarë, artikuluan një urrejtje poshtëruese dhe tejet manipuluese te opinioni i gjerë në lidhje me ushtarët dhe idealin e UÇK-së. Këtë e thoshin ata që u frikësoheshin se së shpejti do u rrezikohej rehatia në kolltukët e ngrohtë. Sepse, në atë kohë (kuptohet edhe në këtë kohë) kolltuku në vete po ngërthente zhvillimin e tregtisë tejet frytdhënës, shfrytëzimin e autoritetit publik dhe shëtitjen rreth botës duke qëndruar njëkohësisht në kolltuk.

Pra, të gjitha punët me rëndësi jetikë individuale dhe shtetërore, paskan mundësi të kryhet duke të qëndruar kolltuku mbrapa. Hmm, pak i rrezikshëm ky fenomen! Kështu që me ndihmën e këtij materiale të vdekshëm, u harruan dhe u nënçmuan dukshëm, ata të cilët përnjëmend kishin vendosur të vdesin, për lirinë dhe gjallërinë e këtij populli të shumëvuajtur.

Por, nuk kaloi shumë kohë, kur disa që para dy javëve këtë ushtri e kishin quajtur ushtri terroriste, kriminele dhe të paguar prej jashtë, të njëjtit patëm rastin t’i dëgjojmë duke folur fjalë shumë mira dhe tejet të arsyeshme për këtë ushtri të lavdishme. Falja dhe pranimi i faljes është në natyrshmërinë njerëzore, dhe si i tillë me kënaqësi e gjitha popullata e pranoi! Por, tmerri i vërtet i këtyre ushtarëve filloi menjëherë pas betejave të fituara. Konkretisht e kemi fjalën për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.

Është tërësisht i pakapshëm fakti, që pas luftës së fituar të filloi tmerri dhe terri i vërtetë për këta ushtarë. Në vend që pas luftës ushtarët në fjalë ta gëzonin lirin dhe t’i vjelin frutat e fituara me gjak, këtyre u ndodhi e kundërta. Ata fillimisht nuk u mërziteshin, kur i shihnin komandantët e tyre duke u inkuadruar nëpër vende të larta institucionale. Nuk u mërziteshin nga shkaku se mendonin dhe besonin shumë në besnikërinë dhe burrërinë e komandantëve të tyre.

Kjo shpresë zgjati deri atëherë kur, të besuarit e tyre i venduan dhe lëshuan rrënjë thellë në shtetin e tyre, tashmë të dashur. Pas shumë mishmasheve me ushtarët e UÇK-së, si duket i erdhi radha edhe mishmashit të fundit. Kësaj radhe ky mishmash apo lojë e fëlliqur, po bëhet direkt prej pushtetit të Gruevskit. Ai pohon se, me ligjet ekzistuese do e zgjidh statusin social dhe ekonomik të ish-ushtarëve.

Me ligjet ekzistuese apo të tanishme, gjendja e ish-ushtarëve shqiptarë në aspektin ekonomiko-social do të jetë si e deritanishmja. Fare mirë e dimë gjendjen e deritanishme të ish-ushtarëve të UÇK-së, të invalidëve dhe të dëshmorëve. Një pjesë bukur e madhe sot bredhin rrugëve të vendit tonë dhe vendit të huaj, një pjesë tjetër është nëpër burgje, si dhe një pjesë tjetër që deri diku kishte qenë të themi me fat, është inkuadruar nëpër institucionet shtetërore, por në vazhdimësi duke mos qenë fare të kënaqur me ecurit dhe produktin që për të, dikur kishin luftuar.

Nuk e mohoj dot, kontributin dhe përkrahjen sociale të organizatave të veteranëve të luftës. Por, më tingëllon tejet rëndë kur them në shumës, pra “të organizatave”. Ç’na duhet dy apo më tepër OVL-ja? Nejse, kjo është një metodë shumë e njohur dhe e vjetër e armikut, e cila me sukses po jetësohet!

Nuk e thash rastësisht pak më lart se, kjo është loja përfundimtare që është duke i ndodhur ish-UÇK-së, nëse në ndërkohë (deri në fund të këtij viti) nuk ndodh diçka pozitive, apo të themi më mirë diçka që i përket mrekullisë. Sepse, ta diskriminosh hapur një ish-ushtri, e cila ndershmërisht, edhe atë me një marrëveshje të pranuar ndërkombëtarisht u çarmatos, është më shumë se lojë me vullkan! Të sjellsh ligje të veçanta për ish-“branitellat”, e në të njëjtën kohë të pretendosh se statusi i ish-ushtrisë tjetër do të rregullohet me ligje ekzistuese, kjo është një poshtërsi dhe një tendencë dashakeqe e llojit të veçantë.

Unë nuk jam që ish-“branitellat” dhe ish-UÇK-ja të barazohet, sepse natyrshmëria e veprimtarisë së tyre dallon dukshëm. Të ashtuquajturit branitella në luftën e 2001-shit, vranë civil të pafajshëm shqiptarë, shpeshherë e prishën armëpushimin, u paguheshin goxha mirë prej shtetit të tyre të dashur prej buxhetit të përbashkët, i luftonin (kuptohet me urdhër prej lartë e me dëshirë prej poshtë) me armë dhe njerëz të Serbisë, Bulgarisë, Ukrainës, etj., kryengritësit që ishin vetëm shqiptarë dhe asgjë tjetër.

Pra, ish-ushtarët e UÇK-së nuk mund të trajtohet njëjtë me të ashtuquajturit branitella! Por, të paktën juridikisht, edhe atë në aspektin e të drejtave për privilegje ekonomike, do të duhej të trajtoheshin të barabartë.

Kryetari i këtij shteti, para se të fletë për kohen dhe momentin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore me Greqinë, do të duhej të mendoj për raportet ndëretnike në shtetin të cilin e udhëheq. Si dhe këtë fillim dhe argument të fqinjësisë së mirë, e shtjelloj duke ligjëruar në temën e rëndësisë së rënies së murit të Berlinit.

Ai me këtë, dëshiroi të thotë se ka ardhur koha që, edhe ndërmjet shteteve urgjentisht duhet të rrënohen muret e urrejtjes. Por, presidenti në fjalë qëllimisht e harroi murin e vet ndërtuar, ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. Me vet krijim dhe pastaj me vet shuarje të problemit, nuk do hiqen dhe shuhet dot problemet. Për neve shqiptarëve që jetojmë në këtë shtet, mohimi prej kohësh i të drejtave elementare, është dhe lexohet si vendosje e tullave në murin e quajtur “LAMTUMIRË”.

Pra, jetëgjatësia e këtij shteti dhe burrëria e jonë, përfundimisht do të shihen në fund të këtij viti!

Exit mobile version