Pas takimit mes dy ministrave, atij të Shqipërisë Niko Peleshi dhe homologut të tij serb ku ra dakord për certifikatat shoqëruese të produkteve bimore dhe shtazore, është kaluar në hapa konkretë.
Në vijim të marrëveshjes ndërmjet dy delegacioneve, pas negocimeve të shumta me palën serbe, është rënë dakord për modelin e certifikatës shëndetësore për eksport nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Serbisë të mishit të dhenve dhe dhive si dhe të certifikatës shëndetësore për eksport të kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi, transmeton tch.
Ministria e Bujqësisë bën të ditur se “jemi njoftuar nga autoritetet Serbe se, aktualisht, certifikatat shëndetësore për eksportin nga Republika e Shqipërisë për kafshët e gjalla dhen dhe dhi dhe mishin e tyre janë fuqi dhe përcjellë në pikat inspektimit kufitar të Serbisë. Në këtë mënyrë konsiderohet që eksporti i tyre është i hapur dhe ngarkesat mund të nisen në çdo kohë”.
Deri më sot, i gjithë prodhimi i tyre ishte i dedikuar vetëm për tregun e brendshëm. Nga sot, këtij tregu i shtohet edhe një treg tjetër prej rreth 7 milionë banorësh siç është ai i Serbisë.
Gjedhi në vendin tonë rritet kryesisht në kullotë të lirë, çka e bën këtë produkt akoma më tërheqës për tregun serb, i cili sot furnizohet kryesisht nga vende që shumicën e mbarështimit e realizojnë me anën e rritjes intensive.
Në Shqipëri mbarështohen rreth 3.000.000 të imta të cilat çdo vit lindin rreth 2.400.000 qengja dhe keca vetëm për therje. Këta qengja në therje janë me një mesatare 10-15 kg mish për krerë, një vlerë ekonomike në total 25,2 miliard Lekë ose rreth 191 milion Euro. Është hera e parë pas vitit 1990 që do të eksportohen kafshë të gjalla të llojit të imta ose mishi i tyre drejt një vendi të huaj.
Ky është hapi i parë drejt objektivit kryesor të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, çeljes së eksporteve drejt Bashkimit Evropian.