Ndonjëherë mjaftojnë vetëm disa truke që ushqimi të jetë më i shijshëm. Lexo këto këshilla të thjeshta dhe do të vëresh që mishi do të jetë më i mirë.
Gjatë pjekjes së mishit, mund të shtosh ujë herë pas here dhe pasi mishi të jetë gati, mund t’i shtosh lëngut të tepërt pak ajkë të thartë (shmand) ose neutrale, me të cilën mund të përfitosh një salcë shumë të mirë për t’ua servirur sallatave me patate të ziera, karota apo orizit.
Çdo lloj mishi që ke bërë gati për të skuqur apo për të pjekur, është mirë që fillimisht ta lësh disa minuta në qumësht. Kjo është mënyra më e mirë që mishi të mos thahet, të jetë më i butë dhe më i shijshëm.
Ndodh shpeshherë që mishi të piqet shumë ose edhe të digjet, duke marrë një ngjyrë të errët. Revistaclass shkruan se për këtë ka një zgjidhje: Pasi ta kesh nxjerrë nga tava (tenxherja) dhe ta kesh hedhur lëngun, në të njëjtën enë shto pak ujë supe të gatshme dhe pak verë të bardhë. Pas pak minutash, do të vëresh se mishi është kthyer në gjendjen e mëparshme, por ndërkohë ke përftuar edhe një lëng supe mjaft të shijshëm.
Nëse mishin e ke lënë në frigorifer për një kohë të gjatë dhe ka filluar të ketë një aromë të pakëndshme, mos u nxito ta hedhësh. Nuk është i prishur! Lëre në ujë të ftohtë për 10-15 minuta. Ndërkohë, përgatit një ҫaj kamomili jo shumë të fortë. Pasi ta kesh ftohur ҫajin, lëre edhe 10 minuta mishin në ujë me kamomil dhe pas kësaj, do të vëresh që aroma e pakëndshme është larguar dhe mishi është sërish i freskët. /Telegrafi/