Telegrafi

Miroslav Lajcak, ndërmjetësi evropian për Shqipërinë

Lajcak është drejtori menaxhues për Rusinë, Lindjen e Ballkanin dhe vjen në Tiranë në përpjekje për të arritur pajtim midis palëve. Miroslav Lajcak, 48 vjeç, në vitin 2006 ka qenë mbikëqyrësi i BE-së për referendumin e pavarësisë në Mal të Zi, ndërsa në vitin 2007, ai ishte i dërguari i posaçëm i BE-së në Bosnje-Hercegovinë.

Lajcak pritet të takohet me shefin e opozitës, Edi Rama, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryeministrin Sali Berisha, i cili mësohet se ka anuluar dhe vizitën e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku pritej të raportonte këtë javë mbi Shqipërinë- raporton Top Chanel.

Ndërkohë, bëhet e ditur se i dërguari i BE-së për krizën shqiptare, Miroslav Lajcak, do takohet të mërkurën në Tiranë me presidentin Bamir Topi. Lajcak do të udhëtojë drejt Tiranës për të biseduar për situatën aktuale politike dhe gjendjen e krijuar pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit ku u vranë tre demonstrues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë demonstrues dhe policë. /Telegrafi/