Mirlind Daku ka qenë i ftuar me plotë meritë për dy ndeshjet e muajit nëntor nga Përfaqësuesja A e Kosovës.
Pas fillimit të stërvitjeve, Daku u detyrua të largohet nga grumbullimi shkaku i arsyejeve shëndetësore dhe nuk u paraqit në ndeshjen e parë miqësore ndaj Armenisë që u mbyll pa fitues 2-2.
Sulmuesi gjilanas ka shkruar në profilin e tij në rrjetet sociale se ka qenë i sëmurë dhe i vije keq që nuk ka mundur të jetë në fushë për t’i ndihmuar shokët e skuadrës.
“Pas një sëmundje që pata u detyrova të largohem nga grumbullimi me Kosovën. Më vije shumë keq që nuk munda të jem në fushë për t’i ndihmuar shokët e skuadrës”.
Krejt në fund Daku ka falënderuar të gjithë për përkrahjen që i kanë dhënë gjatë këtyre ditëve.
“Faleminderit të gjithëve për mesazhet dhe kujdesin, tani jam duke marrë terapinë dhe po bëhem më mirë”, ka shkruar Daku.
24-vjeçari po kalon nëpër një formë të mrekullueshme këtë sezon me Muran në Slloveni, ku në 19 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 14 gola e ka asistuar në një tjetër. /Telegrafi/