Gjykatësja në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut, Mirjana Lazarova Trajkovska, në një deklaratë për televizionin Telma, thotë se dalje nga kriza në të cilën u gjet vendi për shkak të vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov, për falje kolektive, është që Gjykata Kushtetuese të deklarohet për tejkalimin e kompetencave dhe përplasjes së kompetencave midis Kuvendit dhe Presidentit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Mekanizëm i vetëm është deklarimi i Gjykatës Kushtetuese për sa i përket tejkalimit të kompetencave të Presidentit, respektivisht ngritja e procedurës për përplasje kompetencash. Kjo për arsye se edhe pse në tërë këtë proces shfrytëzohet e drejta e presidentit për falje, tiparet e procedurës nuk ndërlidhen me vendimet për falje, por ata më tepër i ngjasojnë veçorive të amnistisë, ndërsa sipas Kushtetutës amnistinë e jep Kuvendi, shtëpia ligjvënëse dhe ajo procedurë nuk bie nën kompetencat e Presidentit. Ndërsa qasja kolektive ndaj kësaj çështjeje, nuk është karakteristike për demokracitë parlamentare, sepse qasja kolektive sjell bazë për dyshim që pas kësaj qëndron një diskriminim i mundshëm” – thotë gjykatësja në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut, Mirjana Lazarova Trajkovska.
Sipas saj, vendimi për falje e inicon çështjen për përplasje të kompetencave të kryetarit të shtetit me pushtetin ligjvënës dhe atë e vlerëson si një goditje e rëndë mbi sistemin juridik edhe ashtu të luhatur në vend./Telegrafi/