Telegrafi

Mirëpritet vendimi i MTI-së që ndalon shitjen e duhanit dhe alkoolit për personat e mitur (Video)

Ministri i Tregtisë, Edrit Shala, ka urdhëruar që të zbatohet ligji, që ndalon shitjen e duhanit dhe alkoolit të rinjve nën moshën 18 vjeçare. 

Ky vendim është mirëpritur edhe nga organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve.

Asdren Gashi, në dyqanin e tij, nuk shet duhan e alkool për personat nën moshën 18 vjeçare.

“Kur po i shoh të moshës së vogël, atyre nuk u shes absolutisht cigare dhe alkool. Pavarësisht a janë në klasë të tetë apo nëntë”, thotë Asdren Gashi, pronar i një dyqani.

Kjo është konform urdhëresës së fundit nga Ministria e Tregtisë.

“Ashtu si e parasheh edhe ligji, unë kam urdhëruar inspektoratin që të zbatohet neni që produktet alkoolike dhe duhani të mos u shitet të rinjve nën moshën 18 vjeçare”, ka deklaruar ministri Endrit Shala.

Këtë vendim e ka mirëpritur edhe koalicioni i OJQ-ve, për mbrojtjen e fëmijëve.

“Kjo urdhëresë e lëshuar nga ministri Shala, për ne si koalicion konsiderohet si një hap përpara. Vëmendja është rikthyer ka kjo çështje. Ne po shpresojmë që ky vendim si hapë i parë të vazhdojë edhe më tej. Jo vetëm me vendosjen e afisheve nga dyqanet ku tregohet se ndalohet shitja e duhanit dhe alkoolit për të rinjtë nën moshën 18 vjeç, por mbi të gjitha me zbatim të sanksioneve”, tha menaxherja e programit KOMF, Klevis Qavari.

Qavari shprehet më tej se ky veprim si hap i parë, është për t’u përshëndetur.

“Ky është një hap i parë shumë i mirë, po ne si koalicion bëjmë thirrje që të vazhdojë më tej me monitorim dhe inspektim të këtyre ambienteve dhe  sigurisht edhe sanksionim nëse do të ketë shkelje”, deklaroi më tej Klevis Qavari nga KOMF.

Sa i përket numrit të inspektorëve, ministri Shala, thotë se numri është i pamjaftueshëm, por të gjithë ata që janë kanë filluar ta kryejnë punën e tyre. /RTV Dukagjini/Telegrafi/