Telegrafi

Mirënjohja e vitit 2015 nga OEK-u, shkon për “Elkos Group”-in e Ramiz Kelmendit (Foto)

Kompanisë “Elkos Group” dhe “ETC” dhe pronarit të saj, Ramiz Kelmendi i është ndarë sot Mirënjohja e Fundvitit, gjegjësisht për vitin 2015, nga ana e Odes Ekonomike të Kosovës (OEK), me motivacion për kontribut të përgjithshëm në zhvillim ekonomik, stabilitet social, promovim të produkteve vendore, përmirësim imazhi të Kosovës dhe promovim të mundësive investive në Kosovë dhe rajon.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka thënë se ndarja e mirënjohjeje për Ramiz Kelmendin, është bërë mbi faktin se OEK-u vepron çdoherë profesionalisht dhe njehë meritat që për këtë vit i takojnë ‘Elkos group’ dhe Ramiz Kelmendi.

“Elkos Group ka 22 qendra të ETC-ve, 7 pika distribuimi, 4 pika të tjera jashtë Kosovës, 3 mijë të punësuar, 1.1 milion euro paga mujore, qarkullim prej 600 milionë euro brenda vitit dhe minimum 32 milionë euro kontribute vjetore në buxhetin e shtetit. Në veçanti orientimi i Kelmendit që deri në vitin 2020 t’i ketë 4 mijë punëtorë, 150 milionë euro investime shtesë dhe orientim edhe prodhim, janë arsyet dhe faktet e vendimit që Mirënjohja për këtë vit ti takojë Ramiz Kelmendit dhe ‘Elkos group’”, ka deklaruar për Telegrafin, Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut.

I pyetur rreth raportit të tij, me Kelmendin pasi të dy ishin kundërkandidat për kreun e OEK-ut, ka shtuar se, “Shpërblimi që OEK-u e ndau sot, nuk është shpërblim për marrëdhënie të mira, mes kryetarit të OEK-ut dhe presidentit të ‘Elkos Group’. Është fjala për njohjen e meritave që OEK-u ja bënë një kompanie të madhe për kontributin e saj në pagesën e tatimeve dhe obligime tjera ndaj shtetit të Kosovës dhe veçanërisht, i ndahet si sukses për punësim, promovim, mbështetje të prodhimeve vendore dhe përmirësim të imazhit të Kosovës. Këtu aspak nuk është me rëndësi, çfarë marrëdhënie kemi ne dhe çfarë mendojmë për njeri tjetrin, këto marrëdhënie nuk ishin përcaktuese për vendimin tonë. Me rëndësi është që OEK-u e ka gjetur si të nevojshme që përmes këtij vendimi të theksoi publikisht se një kompani lidere në treg siç është ‘Elkos Group’ është duke vepruar në mënyrë të suksesshme kur bëhet fjalë për obligimet ndaj shtetit. Pra nuk është shpërblim privat por institucional dhe unë gëzohem se edhe në këtë rast OEK-u nuk përfillë kritere subjektive por profesionale dhe objektive. Unë dhe Ramiz Kelmendi jemi në raporte të nivelit më të lartë dhe sukseset e tij, janë edhe suksese të Kosovës”, ka theksuar kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.

Ndërkaq, biznesmeni Ramiz Kelmendi, shprehi falënderime të përzemërta për dekoratën dhe shpalosi angazhimet e tij dhe të kompanisë “Elkos Group” deri në vitin 2020 për fuqizimin e ekonomisë së Kosovës, si dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. “Investimet do të kapin shumën prej 160 milionë euro dhe do të krijojnë mbi 2000 vende të reja pune”, ka treguar Kelmendi . /Telegrafi/