Nënë e bir kanë rënë në prangat e policisë së kryeqytetit këtë të shtunë, pasi kanë vjedhur para dhe sende në vlerë totale 120 mijë euro.
Policia e Shtetit bën të ditur se janë sekuestruar mbi 8 milionë lekë të rinj të dyshuar të vjedhur në këtë banesë, sende me vlerë, 3 automjete, 2 prej tyre të blera me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i provave të siguruara falë një pune të mirëfilltë hetimore, trejavore, të realizuar me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Inside’”, thuhet në njoftim.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasve: R. D., 49 vjeçe dhe H. D., 23 vjeç (nënë e bir), të dy banues në Tiranë.
Nga provat e siguruara në kuadër të këtij operacioni, rezultoi se gjatë periudhës që shtetasja R. D. ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në rrugën e Kosovarëve, kjo shtetase, në bashkëpunim me shtetasin H. D. (djali i saj), ka vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/