Site icon Telegrafi

Mirela Gjikokaj fiton derbin e hendbollit në Norvegji

(Foto: kosovahandball.info)

Hendbollistja e Kosovës, Mirela Gjikokaj ka zhvilluar ndeshje të mirë për Follon në Norvegji.

Të mërkurën, Follo HK fitoi derbin e kategorisë së dytë ndaj skuadrës Gjerpen HK me rezultat bindës, 31-23. Skuadra e Gjikokajt ishte mysafire.

Hendbollistja jonë ishte prej më të dalluarave, ndërsa ndeshjen e përfundoi me katër gola e pesë asistime.

Follo është e dyta me 27 pikë dhe në rrugë të mirë për kthim në elitë. Gjerpeni ka rënë në vendin e tretë.

Dy prej lojtareve kryesore të Kosovës, kapitenja Leonora Demaj dhe qendra Marigona Hajdari kanë vazhduar me paraqitje në elitën e Danimarkës. Skuadra e tyre, Ringkobing, të mërkurën pësoi 31-27 nga Horsensi. Marigona kontribuoi me një gol e katër asistime, ndërsa Demaj i kishte dy gola.

Pashke Marku ka luajtur edhe një ndeshje të mirë në Zvicër. Ajo realizoi tetë gola nga 12 tentime për Kreuzlingenin që humbi 37-23 nga Bruehl.

Exit mobile version