Prishtinës i ka mjaftuar vetëm xhiroja hapëse e edicionit pranveror për të marrë kreun e tabelës në Vala Superligë.
Kryeqytetasit mposhtën pastër liderin e deritashëm Llapin me rezultat të pastër 2-0, ku golat u shënuan nga Drasko Bozovic dhe autogol nga Egzon Sinani.
Kryetrajneri i Prishtinës, Mirel Josa e vlerëson triumfin ndaj një kundërshtari, por mendon se ekipi i Llapit nuk është i vetmi kundërshtarë që kanë bardhekaltërit në garën për titullin kampion.
“Nuk e mposhtëm vetëm Llapin, por edhe një kundërshtar direkt. Nuk e kemi vetëm Llapin kundërshtar direkt për titull. Tabela është e ngjeshur me shumë skuadra që kërkojnë kreun e tabelës”, deklaroi fillimisht Josa.
“Neve tani na kërkohet çdo javë të japim maksimumin dhe këtë maksimum duhet ta japim sikurse në përgatitje ashtu edhe në lojë”.
“Duhet të punojmë në të dy aspektet, edhe në mbrojtje edhe sulm. Kemi pasur disa gabime individuale në humbjen e topit që i mundësuam kundërshtarit ta fitoj lehtë atë”.
“Nëse Llapi mund të ishte me cinik në sulmet e veta më përpara mund të na vinte më shumë në vështirësi”.
“Shume persona e kanë parë këtë ndeshje si një finale, por kampionati ka kthesa të shumta dhe ne duhet të shohim edhe skuadrat e tjera se si luajnë dhe jo vetëm ne”, përfundoi trajneri i Prishtinës.
Aktualisht Prishtina ndodhet në pozitën e parë me 35 pikë, një më shumë se Llapi që renditet e dytë dhe dy më shumë se Drita që “stacionohet” e treta.