Dr. Gojart Xh. Pllana, MD
Specialist i Kardiologjisë
045/048 108018
“Shëndeti nuk është thjeshtë vetëm mungesë e sëmundjes.” Hannah Green
Në praktikën tonë të përditshme në Klinikën e Kardiologjisë shumë shpesh hasim në pacientë të cilët pasi hospitalizohen, gjatë marrjes së anamnezës, në pyetjen tonë se a vuani nga ndonjë sëmundje përgjigjja e tyre më e shpeshtë është: “Unë as injeksion nuk kam marrë kurrë, unë kurrë s’kam qenë te mjeku, unë gjithmonë kam qenë shëndosh e mirë”, etj.
Arsyet e hospitalizimit të këtyre pacientëve janë nga më të ndryshmet, por të gjitha gjendje mjaft të rënda shëndetësore, duke filluar nga krizat hipertenzive, sheqeri e yndyrat në gjak, sëmundje valvulare, e deri te infarkti akut i miokardit (siç njihet në popull, sulmi në zemër apo pika në zemër).
Shtrohet pyetja: Athua ka mundësi që nga një gjendje plotësisht e shëndoshë përnjëherë të vie deri te probleme kaq serioze të zemrës?!
Përgjigjja është: “JO”!
Po ta pyesnim veten secili prej nesh, se sa i kushtojmë rëndësi shëndetit, besoj që një numër shumë i madh do të ndalej të mendonte dhe përgjigjja do të ishte: “Unë nuk kujdesem fare për shëndetin tim!”.
Kjo gjendje vjen si rezultat i të jetuarit jo shëndetshëm, që nënkupton:
▪ Pirje e duhanit
▪ Kequshqyerje
▪ Obezitet
▪ Pasivitet
▪ Pagjumësi (gjumi jo i mjaftueshëm)
Në mënyrë që sadopak të kontribuoni në përmirësimin e shëndetit tuaj rekomandoheni që të:
▪ Lini duhanin
▪ Ushqeheni mirë dhe me masë (sa më shumë fruta dhe perime, sa më pak ushqime me kripë, sheqer dhe yndyra)
▪ Monitoroni peshën tuaj
▪ Merreni me aktivitet fizik dhe
▪ Bëni gjumë të mirë (së paku 7-8 orë gjumë gjatë natës)
Në Institutin e Mjekësisë së Punës, ku punoj që nga viti 2006, kryhen vizita periodike vjetore të punëtorëve (vizita mjekësore të planifikuara një herë në vit edhe, pa pasur asnjë simptomë apo ndonjë sëmundje eventuale), ku jo rrallë herë janë zbuluar sëmundje për të cilat pacientët nuk kanë qenë fare në dijeni.
Sukseset gjatë trajtimit të këtyre pacientëve nuk kanë munguar si rezultat i zbulimit të hershëm të sëmundjes. Prandaj, edhe nëse nuk keni ndonjë ankesë, ndonjë simptomë kjo nuk ju siguron se ju nuk vuani nga ndonjë sëmundje.
Të mendosh për shëndetin do të thotë që mbi moshën 40 vjeçare edhe pa praninë e simptomave (e në rastet kur kemi prani të sëmundjeve si dhe ngarkesa në punë edhe në mosha më të reja), së paku një herë në vit të bëni një Check-Up kardiologjik, që nënkupton një vizitë te mjeku kardiolog si dhe analizat laboratorike, si: vlerat e sheqerit dhe yndyrave në gjak, ndërsa në moshat më të shtyra edhe më shpesh.
E gjitha kjo që të zbulohen me kohë sëmundjet e mundshme kardiovaskulare me qëllim të parandalimit dhe trajtimit të tyre me kohë. /Telegrafi/