Telegrafi

Mirë se vini në Turqi!

Charles Coray, bashkëshortja e tij Tania dhe vajza nëntë vjeçare në aeroportin Cardiff nga punëtorja e sportelit kanë marrë kartela të gabuara të aeroplanit. Familja Coray kishte paguar udhëtimin all-inclusive në agjencinë turistike First Choice, duke zgjedhur qëndrimin e tyre në hotelin me pesë yje në Ishujt Kanare. Aeroplani i tyre është dashur të aterrojë në Arrecif në Lanzarote. Ata janë habitur së tepërmi kur, në vend të këtij aeroporti, kanë aterruar në atë të Turqisë në Bodrum, ku, dhe për tu kthyer me të njëjtin aeroplan në Cardiff, është dashur të paguajnë vizën me vlerë prej dhjetë funtesh angleze.

Charles Coray u ka thënë gazetarëve se nuk e ka hetuar gabimin me kohë pasi që në biletë ka shkruar vetëm emri i aeroportit të Bodrumit, mirëpo nuk ka shkruar se bëhej fjalë për Turqi. Gjithashtu, ai ka thënë se me tu futur në aeroport nuk ka pasur asnjë lloj lajmërimi për fluturimin dhe se, me të hyrë në aeroplan kanë fjetur, duke marrë parasysh se ishin zgjuar herët dhe ishin të përgjumur, derisa kontrollin e aeroportin e kishin bërë në 6:30 të mëngjesit.

Ata kanë refuzuar ofertën e agjencisë që pushimin ta kalojnë në një hotel luksoz turk, sepse ishin shumë të dërmuar nga lodhja. Nga First Choice u kanë kërkuar falje, duke thënë se do t’u kthejnë të gjitha paratë që kanë paguar.