Site icon Telegrafi

“Më mirë për Tetovën”: Teuta Arifi të prononcohet për keqpërdorimet financiare që u zbuluan me ndihmën e USAID-it dhe IRI-t

Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” ka kërkuar nga kryetarja aktuale e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, që të prononcohet në lidhje me keqpërdorimet financiare që u zbuluan në komunë me ndihmën e USAID-it dhe IRI-t.

Nga kjo iniciativë thonë se në dy javët e fundit qytetarët e Tetovës janë të shqetësuar në lidhje me pagesat e realizuar nga Komuna e Tetovës, që janë publikuar në faqen e Ministrisë për Financa.

“Lista “Më mirë për Tetovën” falënderojmë USAID-in & IRI-in për mundësinë që të përballemi me të vërtetën e keqpërdorimit të parave dhe taksave tona nga udhëheqësia e papërgjegjshme e komunës! Kurse nga kryetarja aktuale Teuta Arifi kërkojmë që para raundit të dytë zgjedhor publikisht të arsyetojë para qytetarëve çdo kontratë që është nënshkruar, dhe të sqarojë për çfarë lloj angazhimi/shërbimi bëhet fjalë. Qytetarët kanë denoncuar raste me emra dhe mbiemra ku familjarë dhe miq të kryetares, si dhe famijlarë dhe të afërm të udhëheqësisë së Komunës kanë pranuar të ardhura nga Komuna, ndërsa të njejtit nuk kryejnë ndonjë funksion në Komunë, janë të angazhuar në vende tjera pune, ose jetojnë dhe veprojnë në shtete tjera, gjegjësisht nuk janë fizikisht prezent në shtet”.

“Keqpërdorimi financiar ka emër dhe mbiemër. Me qindra mijëra euro para të tetovarëve janë grabitur ndër vite për të paguar familjarë e miq në dëm të qytetit. Ky lloj i keqpërdorimit nuk i shërben askujt tjetër përveç se interesave grupere dhe klanore, dhe i dëmton qytetarët e rëndomtë duke i anashkaluar nevojat e tyre bazike për investime si: parqe e kënde për fëmijë, makineri për pastrimin e qytetit, infrastrukturë rrugore, ujësjellës, kanalizime, gjelbrim, shesh. Kërkojmë nga Avokati i Popullit dhe organet e hetuesisë që të reagojnë urgjentisht, dhe në bazë të denoncimeve të inicojnë procedure hetimore për vepër penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit të Komunës së Tetovës”, thuhet në reagimin e iniciativës qytetare./Telegrafi/

Exit mobile version