Telegrafi

“Më mirë për Tetovën” ndryshimet në Kodin Penal janë legjitimim i krimit të organizuar

Nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” përmes një kumtese reagoi për propozim ndryshimet e Kodit Penal. Sipas tyre kjo do të nënkuptojë legjitimim të krimit të organizuar.

“Propozim-ndryshimet e Kodit Penal që u gjendën sot para deputetëve i vlerësojmë si legjitimim të krimit të organizuar dhe stimulim edhe më të madh të korrupsionit nga politikanët. Me këtë i hudhet benzin zjarrit të kulturës së pandëshkueshmërisë e cila e ka kapluar këtë vend që mundohet të bëhet shtet. Shteti i së drejtës nuk egziston. Tre partitë më të mëdha janë shëndërruar në trekëndësh të Bermudeve që rrënojnë çdo ëndërr se në këtë shtet ja vlen të jetohet. Me këtë i hapet rruga edhe hovit të shpërnguljeve masive, me çka brezat që vijnë, këtu nuk shohin më të ardhme – si pasojë e politikanëve hajdutë”. thonë nga nisma qytetare “Më mirë për Tetovën”.

Sipas tyre, këto ndryshime ndodhin edhe me miratim të heshtur të bashkësisë ndërkombëtare.

“Për fat të keq i gjithë ky teatër i shëmtuar bëhet për pazare për të siguruar ndryshimet kushtetuese në emër të integrimeve evropiane. Ajo që është zhgënjyese për qytetarët është se e gjithë kjo e keqe që po na ndodh sot para syve, kalon pa asnjë reagim të faktorëve ndërkombëtarë duke lënë një shije të keqe për të besuar se e gjithë kjo bëhet edhe me miratimin e tyre të heshtur”, theksojnë nga nisma qytetare “Më mirë për Tetovën”.