Më mirë për Tetovën ka reaguar ndaj fatkeqësisë së fundit që ndodhi në qytetin e Tetovës ku u djeg një fabrikë me çka u shkaktuan dëme materiale dhe shkaktoi ndotje të ajrit, shkruan Telegrafi Maqedoni.
“Dëmi i shkaktuar në shëndetin e Tetovarëve është shumë më i madh se dëmet materiale! Ne të gjithë bashkë jemi viktimë, dhe për një periudhë më të gjatë do të jemi të ekspozuar ndaj gazrave dhe pluhurit kancerogjen që ka mbuluar Tetovën.
Duke pasur parasysh edhe vlerësimet e Qendrës për Menaxhim me Kriza që “poqëse zjarri do të mbërrinte tek sillosat e gazit, gjysma e Tetovës nuk do ishte” nuk kemi se si të mos trishtohemi për të ardhmen e qytetit.
Për këtë arsye kërkojmë që urgjentisht të ndërmeren masa rigoroze për kontroll të këtyre rezervuareve dhe njëkohësisht të bëhet dislokimi i tyre në zona ku nuk paraqesin rrezik për qytetarët”, thonë nga “Më mirë për Tetovën”.
Nga atje thonë se aksidentet dhe fatkeqësitë mund të ndodhin gjithandej, mirëpo është obligim i institucioneve që të mbrojnë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve nga katastrofa të mundshme. Në këtë rast duhet të kërkohet përgjegjësi, dhe gjithashtu të ndiqen rregullat dhe protokolet në lidhje me veprimtaritë që mund të zhvillojnë operatorët ekonomik në afërsi të zonave të banuara./Telegrafi/