Nisma qytetare “Më mirë për Tetovën”, sot në konferencë për shtyp bëri të ditur se do të garojë në zgjedhjet lokale por vetëm me listë këshilltarësh.
“Ne jemi një grup qytetarësh që e duam më të mirën për Tetovën prandaj jemi bërë bashkë, të detyruar të aktivizohemi për shkak të degradimit të situatës në të cilën gjendet komuna jonë. Ne jemi aktivistë nga shoqëria civile të bashkuar edhe me profesionistë të fushave të ndryshme dhe kemi vendosur që organizimit dhe aktivitetit tonë për Tetovë më të mirë jashtë institucioneve, t’i shtojmë fushën e veprimit edhe brenda tyre”, thanë nga kjo nisma qytetare.
Sipas tyre, komuna është institucioni ku merr kuptim dhe kahje zhvillimi i qytetit, ndërsa i nstitucionet komunale kanë ndikim thelbësor në jetën e qytetarëve sepse, siç thonë nga kjo nismë, përcaktojnë dhe duhet ta garantojnë mirëqenien.
“Iniciativa #MëMirëPërTetovën është e pavarur nga partitë politike. Ne do të hyjmë në garë zgjedhore për Këshillin komunal me listë të këshilltarëve të pavarur. Në këtë formë do të punojmë bashkë duke qenë zëri i qytetarëve, të cilët kanë qenë të përjashtuar nga vendimmarrja. Do të angazhohemi çdo ditë që t’i mbajmë përgjegjës të zgjedhurit në krye të komunës duke ju kërkuar llogaridhënie dhe transparencë”, thanë nga kjo nismë.
Ata ftuan qytetarët që t’u bashkohen për të mirën e përgjithshme dhe për Tetovën./Telegrafi/