Site icon Telegrafi

Miratohet vendimi, qytetarët e Prishtinës me coronavirus do të marrin nga 50 euro – pensionistët nga 100

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar vendimin që qytetarët e saj nën moshën 65-vjeçare të infektuar me coronavirus të marrin nga 50 euro ndihmë, ndërsa pensionistët të marrin nga 100 euro.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, transmeton Telegrafi.

“Përfitues do të jenë 13 mijë e 648 raste persona që janë infektuar. Të gjithë personat nën moshën 65-vjecare përfitojnë 50 euro. Mbi moshën 65 vjeç përfitimi do të jetë 100 euro. Përfitues do të jenë të gjithë ata që janë në listën e IKSHPK-së. Në bazë të numrit të letërnjoftimit kushdo që do të paraqitet mund të përcaktohet nëse është banor i Prishtinës apo jo. Ne do t’i eliminojmë ata që nuk janë banorë të Prishtinës. Në aprovimin e buxhetit të ardhshëm mund të ndodhë që kjo shumë mund të rritet, por aktualisht janë këto”, ka pohuar ai.

Nushi ka  njoftuar se do të jetë edhe një pako e veçantë për rastet sociale, dhe për personat me aftësi të kufizuara.

“Për rastet sociale nuk e dimë se kush ka qenë i infektuar apo jo. Por e kemi pakon e veçantë që rastet sociale do të marrin 80 euro. Ndihmë nga 80 euro do të marrim secili person me aftësi të kufizuara. Ai që ka qenë i infektuar i merr 50 euro, kurse 80 euro i merr si rast social. Kjo ndihmë nga 50 euro dhe 100 euro është e hapur, nuk ka datë të hapjes apo mbylljes së aplikimit”, theksoi ai.

Propozimi është miratuar me 38 vota pro. Theksojmë se në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 704 raste me coronavirus, ndërsa vetëm në Prishtinë 271 raste. /Telegrafi/

Exit mobile version