Site icon Telegrafi

Miratohet ulja e taksave për Trust

Komisioni parlamentarë për Buxhet dhe Financa, ka miratuar sot kërkesën e Trustit Pensional të Kosovë për taksat vjetore, atë investive dhe operacionale për këtë vit.

Bordi i Trustit Pensional të Kosovës, ka kërkuar që të ulet taksa investive nga 0.400 për qind e mjeteve sa është aktualisht në 0.398 për qind. Ndërsa për taksën operacionale kërkoj të ulet prej 0.085 për qind në 0.082 për qind.

Para Komisionit ka qenë kryetari i Bordit të Trustit Pensional, Ymer Havolli, i cili ka prezantuar kërkesën dhe ka njoftuar edhe për fitimin që trusti ka realizuar gjatë vitit 2015.

“Vitin e kemi mbyllur sivjet me një fitim prej 30 milion eurove ose në kthim neto që është diku afër 3 përqind. Ky rezultat duke i marrë parasysh kushtet të cilat kanë mbizotëruar në tregjet financiare dhe rëniet e mëdha gjykohet mjaftë pozitiv dhe kjo pikërisht është bërë për shkak të diversifikimit të madh që e kemi pasur dhe numrit të aset menaxherëve për të cilët ne sot ju do të debatoni lidhur me taksën investive dhe taksën operacionale. Vitin 2016 po e fillojmë me 1 miliard e 200 milionë euro. Do të thotë i kemi 142 milion euro më shumë të mbledhura që janë në këtë pjesë dhe numri i kontribuuesve gjithashtu aktiv po flasë ka filluar të rritet dhe përafërsisht e kapin shifrën në dhjetor të vitit 2015 në 297 mijë e 500 kontribuues aktiv nga sa ishte një vit më herët 285 mijë e 914. Gjithashtu gjithnjë e më shumë kontribues po i drejtohen zyrës së fondit të kursimeve të fondit pensional kështu që shërbimet që ne tash po i ofrojmë për kontribuuesit tanë kanë arrite në numrin 72 mijë e 200 vetëm gjatë vitit të kaluar. Kjo është për 46 për qind më shumë se sa viti i kaluar”, tha Havolli.

Besa Gaxheri, anëtare e komisionit për buxhet dhe Financa ishte kritike edhe për pagat e larta të bordit dhe drejtorit menaxhues të trustit. Mirëpo për këtë çështje nuk u diskutua pasi e lanë që në një herë tjetër të diskutohet si temë e veçantë.

“Uljen po e kërkoni 1 për qind. Kjo është e thjeshtë edhe pastaj nëse keni rritje 3 për qind fitim unë e kamë parasysh që e keni edhe si shumë totale është 1 miliard e 200, tash nuk e di saktë sa është përqindja e rritjes në shumë totale jo e fitimit prej vitit paraprak. Atëherë në bazë të asaj e shohim sa është rritja dhe në bazë të rritjes ne duhet me bërë uljen e taksës dhe kjo është shumë e thjeshtë. Pastaj pa dashur me hy në detaje kur e shohim ngritjen vetëm tek të hyrat ose shpenzimet e stafit është e rëndë ose buxheti operacion al 2016 i keni plus 36 përqind por po bie në sy dhe ju kisha lut me pas kujdes për arsye se krejt opinioni flet edhe pse nuk jeni ju në atë e kemi çështjen edhe të drejtorit atje po ne na duhet me i diskutuar këto gjëra”, tha Gaxheri

E Naser Osmani, kryetar i komisionit për Buxhet dhe Financa propozoi që një ditë tjetër të nxjerrët baza se nga është nxjerrë taksa.

“Në cilën bazë caktohet taksa menaxhuese a duhet të caktohen mjetet e grumbulluara në gjendjen e mjeteve ekzistuese apo duhet të caktohet në bazën e mjeteve të planifikuara. Ju e keni bërë të planifikuara do të thotë e keni rritë për 200 milion si planifikim edhe mbi bazën e saj e keni caktuar taksën menaxhuese. Ligji juve nuk ju përcakton. Konsideroj që një ditë tjetër duhet të ulemi ta diskutojmë bashkarishtë me bordin dhe të vijmë në përfundim se cila është baza ku nxjerrët taksa”, tha Osmani.

Komisioni i ka rekomanduar kuvendit që të aprovohet taksat operacionale dhe ajo investive.

Po ashtu komisioni e ka miratuar kërkesën e Bordit të RTK-së për transferin e mjeteve në shumë prej 2,400,000 euro të cilat janë të ndara për RTK-në. /Telegrafi/

Exit mobile version