Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore ka miratuar Udhëzimin për Standardizimin e QR Kodit që do të përdoret për transaksionet e pagesave në Republikën e Kosovës.
Në njoftimin për media thuhet se qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë rregullat dhe kërkesat teknike për zhvillimin dhe funksionimin e strukturës së QR kodit në Republikën e Kosovës, që do të përdoret për pagesat në shitjet me pakicë dhe për pagesat e faturave.
“Ai synon të promovojë përdorimin më të gjerë të pajisjeve digjitale dhe telefonave të mençur për kryerjen e pagesave, duke siguruar ndërveprim të qëndrueshëm dhe të sigurt midis ofruesve të shërbimeve dhe konsumatorëve.
BQK-ja ka adoptuar standardin e përcaktuar nga Këshilli Evropian për Pagesa (EPC), i cili përfshin standardin e QR kodit që përdoret në BE për transferet e pagesave të iniciuara nga telefonat e mençur dhe për sistemet e pagesave të shpejta”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Përdorimi i këtij standardi do të sjellë disa përparësi dhe përfitime: për qytetarët, për tregtarët dhe ofruesit e shërbimeve, për ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe për institucionet publike.
Me këtë standard, Banka Qendrore synon që në Republikën e Kosovës, QR kodet të përdoren në mënyrë efikase për qëllime pagesash në sisteme dhe platforma të ndryshme, duke reduktuar fragmentimin e tyre.
Udhëzimin mund ta gjeni në këtë LINK: /Telegrafi/