Telegrafi

Miratohet rezoluta kundër vendimit të Metës për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale në Shqipëri

Me 100 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime është votuar pak minuta më parë në Parlament rezoluta kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.

Ndër të tjera në rezolutën e miratuar me votat e deputetëve të Partisë Socialiste dhe disa prej deputetëve të ‘opozitës së re’ thuhet: “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.”

Rezoluta u votua pas 5 orësh debat nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës.

Kryeministri Edi Rama tha sot nga foltorja e Parlamentit se me vendimin e tij, Ilir Meta, i ka kaluar të gjitha kompetencat ndërsa nuk kurseu as akuzat.

“Ky Kuvend sot duhet tu drejtohej me një rezolutë të gjithë atyre shteteve për çeljen e negociatave. Por ky Kuvend sot është i detyruar të merret me një akt brutal të papërgjegjshëm brutal të Ilir Metës. E pyes veten… Çfarë kërkon Meta më shumë nga Shqipëria? I cili pa mbushur 50 vjeç e ka bërë si askënd si askush në tjetër në histori”, tha Rama.

Rama tha se socialistët nuk do të tërhiqen nga 30 qershori.

“Nuk ka asnjë që na tund nga 30 qershori jemi detyruar ta pranojmë si të keqen më të vogël për demokracinë e re zgjedhjen e gabuar të kundërshtarëve tanë për të na lënë në garën vendore me një kandidat në pjesën më të madhe të bashkive”.

Rezoluta e plotë

MBI AKTIN E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS PËR SHFUQIZIMIN E DEKRETIT Nr. 10928, DATË05.11.2018 “PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE”

Kuvendi i Shqipërisë:

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit sitë vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019 të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.