Sot në Prishtinë ka filluar punimet Konventa “Evropianët e rinj”, e cila po mbahet për herë të parë në Republikën e Kosovës. Konventa do të zgjas tre ditë dhe do të mbledhë 1800 të rinj të cilët do të nënshkruhen në tri Rezolutat lidhur me kërkesat dhe nevojat e të rinjve drejtuar Presidentit, Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Sipas një njoftimi, gjatë hapjes së punimeve të kësaj Konvente, Presidenti i Rinisë Evropiane të Kosovës, Avdullah Hasani, ka kërkuar që spektri politik të ndryshoj qasjen dhe sjelljen e tyre ndaj të rinjve duke kërkuar kështu që të mos i shikojnë të rinjtë vetëm si imazh i bukur.
“Kjo Konventë duhet të ishte një kambanë për të gjithë. Të rinjtë në Kosovë nuk po arrijnë assesi të gjejnë vetën. Zgjidhja më e drejtë do të ishte një kombinim mes eksperiencës se gjeneratës më të vjetër dhe vullnetit të rinjve”, u shpreh Hasani deri sa kërkoi nga senatorët e rinj ta votojnë këtë rezolutë.
Ndërsa, Sekretarja për Komunikim Ndërkombëtarë, Jeta Statofci, gjatë leximit të rezolutës e cila u miratua nga të pranishmit ka kërkuar që në Kosovë të jetësohet ideja e lirisë dhe barazisë në vend.
Ndryshe kjo rezolutë është thirrje për Presidentin Hashim Thaçi, Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe Kryeministrin Isa Mustafa që të krijojnë hapësira për të rinjtë dhe të ndihmojnë procesin e ndërkombëtarizimit të të rinjve.
Në këtë ceremoni morën pjesë shumë deputetë dhe drejtues qeveritarë, ndërsa takime me qindra të rinj pjesëmarrës do të ketë për tri ditë. /Telegrafi/