Site icon Telegrafi

Miratohet projekti në vlerë rreth 50 milionë euro për sigurimin e pajisjeve mjekësore

 

Këshilli Kombëtar për Investime miratoi projektin e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e pajisjeve mjekësore në vlerë prej rreth 50 milionë eurove.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ky projekt i Ministrisë së Shëndetësisë që nënkupton sigurimin e pajisjeve mjekësore për institucionet e kujdesit dytësor dhe tretësor shëndetësor do të realizohet përmes formave të përshtatshme të financimit me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në periudhën e ardhshme”, shpjegohet në komunikatë.

Aty thuhet se projekti ka për qëllim financimin e jashtëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe pajisjeve mjekësore në disa prej klinikave të QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme,  sigurimin e  programit për menaxhimin e pajisjeve mjekësore për të përcjellë ciklin jetësor të gjitha pajisjeve në SHSKUK dhe përmirësimin e infrastrukturës mjekësore .

Projekti është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës dhe iu ka nënshtruar një vlerësimi edhe nga fondacioni amerikan ‘Project Hope’. /KP/

Exit mobile version