Site icon Telegrafi

Miratohet nisma për nënshkrimin e IPA 2015 në vlerë prej 78 milionë euro

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën për nënshkrimin e Marrëveshjes financiare IPA 2015 në vlerë prej 78 milionë eurosh nga ana e BE-së dhe me një bashkëfinancim prej 3 milionë eurosh nga ana e Kosovës.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, gjatë paraqitjes për miratim të kësaj nisme, ka bërë të ditur se programi për herë të parë është bazuar në qasjen e re të përkrahjes për sektorë në kuadër të IPA 2, gjë që ka nënkuptuar fokusin në një numër më të përzgjedhur të prioriteteve por me një asistencë më voluminoze financiare për të kontribuar në ndryshime sektoriale dhe me këtë rast është fokusuar në tre sektorë kryesorë: sundimi i ligjit, energjia, si dhe bujqësia dhe zhvillimi rural. Njëkohësisht, programi do të përkrah zbatimin e obligimeve të parapara në kuadër të MSA-së.

“Përveç këtyre sektorëve, si përkrahje më horizontale, do të mbështeten edhe procesi i integrimit evropian dhe përafrimi ligjor me BE-në si dhe nevojat për financim që rezultojnë nga dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Çollaku.

Kjo marrëveshje do të nënshkruhet nga ana e Ministrisë së Integrimit Evropian, duke përfaqësuar Republikën e Kosovës, e cila do të vazhdojë konsultimet me Komisionin Evropian, në pajtim me procedurat e brendshme qeveritare dhe do të nënshkruajë marrëveshjen në kohën e paraparë. /Telegrafi/

Exit mobile version