Partitë opozitare nuk janë pajtuar me zhvendosjen e Agjencisë së Arkivave Shtetërore në Ministrinë e Kulturës. Sipas tyre, zhvendosja nga Zyra e Kryeministrit ia humb rëndësinë këtij agjencioni.
Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi e ka miratuar sot në parim Projektligjin për Arkivat Shtetërore.
Në emër të Komisionit të Arsimit Arijeta Rexhepi tha se projektligji i plotëson kushtet e parapara, kështu ajo i ka rekomanduar Kuvendit për miratim.
“Të miratojë (Kuvendi) në parim Projektligjin për Arkivat Shtetërore. Në bazë të nenit 56, paragrafi 2 të rregullores së Kuvendit, komisioni funksional shqyrtoi projektligjin në parim, para shqyrtimit të parë në mbledhje plenare dhe Kuvendit i paraqet raport me rekomandime për miratim”, ka thënë ajo.
Rexhepi tha se ligji aktual në shumë raste është ballafaquar me zbrazëtira juridike, të cilat e kanë vështirësuar ushtrimin dhe zhvillimin e veprimtarisë arkivore në vend.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se zhvendosja e Arkivave Shtetërore në Ministrinë e Kulturës do t’i humbë rëndësinë që e ka.
“Grupi Parlamentar i PDK-së e ka marrë me shqetësim zhvendosjen e arkivave nga Zyra e Kryeministrit tek Ministria e Kulturës. Ne e konsiderojmë që Arkiva Shtetërore është tejet e rëndësishme që të qëndrojnë ashtu siç kanë qenë në kuadër të rregullimit qeveritar, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si agjencion. Mendojmë që kjo duhet të trajtohet me një seriozitet jashtëzakonisht të madh dhe fakti që do të jetë nën Zyrën e Kryeministrit besoj që do t’i jepte një rëndësi dhe një qasje më të mirë në financa, në organizimin shtetëror të arkivave”, ka thënë ai.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Vlora Dumoshi tha se e përkrahin në parim këtë projektligj.
“Përmes këtij projektligji janë harmonizuar shumat e gjobave në kufirin minimal dhe maksimal, ashtu siç janë të parapara me Ligjin për Kundërvajtje në Kosovë. Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e përkrah në parim projektligjin numër 08L111 për Arkivat Shtetërore, ndërsa kontributin tonë do ta japim gjatë fazës së shqyrtimit dhe amendamentimit mes dy leximeve”, ka thënë Dumoshi.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj ka njoftuar se e përkrahin këtë projektligj.
“Ne i pamë edhe shqetësimet e grupeve të tjera parlamentare me bartjen e Arkivave Shtetërore nga Zyra e Kryeministrit te Ministria e Kulturës. Po ashtu, mendoj që në mes të dy leximeve, ne në parim do ta përkrahim në lexim të parë, por kërkojmë nga komisioni parlamentar që në mes të dy leximeve t’i rregullojë këto shqetësime dhe të bëhet një ligj i mirë”, ka njoftuar ajo.
Në lidhje me zhvendosjen e Arkivave Shtetërore, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku tha se ka qenë diskutim i grupeve punuese. Ai u shpreh se kanë ndjekur dy parime, atë të funksionalitetit dhe efikasitetit. Nga diskutimet, siç tha ai, është parë që të jetë në Ministri të Kulturës.
Ai tha se është paraparë që Agjencia e Arkivave të jep pëlqimin dhe miratimin e listës së afateve për ruajtjen e dokumenteve.
“Me këtë projektligj kemi paraparë edhe kthimin e materialeve arkivore në Republikën e Kosovës. Ku Republika e Kosovës në mbështetjeve të akteve dhe instrumenteve ndërkombëtare që rregullojnë fushën arkivore ka detyrim që të angazhohet dhe kërkojë rikthimin e materialeve arkivore në vendin e origjinës që kanë dalë në mënyrë të jashtëligjshme, jashtë territorit shtetëror të Kosovës”, ka thënë ai. /KP/